Panorama Sport (Albania)

“Tërmet” te Dortmundi, Aubamejang jashtë ekipi

Sulmuesi gabonez ndëshkohet pasi u largua nga stërvitja më herët se skuadra

-

Skuadra e Borusias së Dortmundit ka ndëshkuar bomberin gabonez, Pier Emerik Aubamejang, për arsye disiplinor­e duke e lënë jashtë skuadrës për ndeshjen e javës së 12-të të Bundesligë­s ndaj Shtutgarti­t. Gjatë ditës së djeshme, vetë klubi verdhezi i Dortmundit ka bërë të qartë se sulmuesi gabonez nuk do të jetë në sfidën e së premtes disa momente përpara se skuadra të udhëtonte drejt Shtutgarti­t. Megjithatë, skuadra e Dortmundit nuk ka dashur të komentojë lidhur me këtë ndëshkim ndaj Aubamejang, por sipas gjermanes "Ruhr Nachrichte­n", sulmuesi gabonez ka arritur të përfundojë seancën stërvitore së bashku me skuadrën, përpara përballjes me Shtutgarti­n, por është larguar rreth orës pesë të pasdites me automjetin privat. Ky nuk është rasti i parë ku Pier Emerik Aubamejang ndëshkohet nga skuadra e Dortmundit. Në muajin nëntor të vitit 2016, sulmuesi gabonez udhëtoi drejt Milanos për të bërë pazare pak orë përpara nisjes së përballjes në Champions League ndaj skuadrës së Sportingut të Lisbonës, por pa lejen e trajnerit Tomas Tuhel. Nga ana tjetër, në muajin prill të këtij viti, Pier Emerik Aubamejang është ndëshkuar me një shumë të majme nga skuadra e Dortmundit si pasojë e festimeve me maskën e sponsorit të tij privat dhe jo atij të skuadrës në përballjen me skuadrën e Shalkes në 1 prill, e cila u mbyll me barazimin 1-1. Gabonezi ka pasur edhe probleme gjatë këtij sezoni pasi nuk ka arritur të shënojë më si më parë, ndryshe nga sezoni i kaluar, në të cilin ai u shpall edhe golashënue­si më i mirë në Bundesligë. Klubi verdhezi e ka postuar lajmin se ka ndëshkuar sulmuesin gabonez edhe në rrjetin social, "Twitter" ku kanë shkruar se: "Aubamejang nuk do të luajë në sfidën ndaj Shtutgarti­t pas një ndëshkimi disiplinor."

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania