Panorama Sport (Albania)

FSHF del garant: S’ka pasur gabime me dashje

“Gjyqtarët janë dënuar vazhdimish­t, klubet rritën presionin”

- JORGIS MEMO

‘‘ Jemi të shqetësuar, kjo situatë nuk mund të kalojë kaq lehtë, por gabimet e arbitrave nuk kanë qenë me dashje". Është kjo bindja e Lysien Nurishmit, njeriu që drejton prej vitesh sektorin e garave në institucio­nin e futbollit shqiptar. Në një intervistë ekskluzive për "Panorama Sport", shefi i garave në FSHF komenton javën e fundit, ku dhe gabimet e gjyqtarëve ishin me shumicë. Ai flet për ankesat e vazhdueshm­e të klubeve, si dhe bën një krahasim me sezonin e kaluar.

Çfarë po ndodh me kampionati­n, duket sikur arbitrimi ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa ankesat sapo vijnë dhe shtohen?

Normalisht që jemi të shqetësuar për këtë situatë. Probleme të vogla ka pasur thuajse çdo javë, por këtë herë, duke qenë se të mërkurën kishte një precedent në ndeshjen Luftëtari-Teuta, të enjten që do të luheshin takimet e tjera, pati një presion më të madh për arbitrat. Pra, u paragjykua­n më shumë në njëfarë mënyre. Personalis­ht kam qenë delegat në Kamza- Kukësi dhe, pas ndeshjes, kam parë që rezultati u pranua sportivish­t nga të dyja palët, duke mos ia faturuar arbitrit.

Gjithsesi, po shikojmë gabime amatoreske, që kanë shtyrë edhe klubet të dyshojnë gjithnjë e më shumë se janë bërë me qëllim për të favorizuar ekipe të caktuara...?

Nuk mendoj se gabimet e bëra në javën e fundit kanë qenë me dashje. Janë gabime normale dhe nuk ka asgjë me paramendim, siç mund të ketë dyshime. Ju garantoj se kush gjyqtar ka gabuar, është pezulluar nga komisioni. Nga java e parë dhe deri më tani, thuajse të gjithë arbitrat kanë pushuar nga një, dy apo më shumë javë kampionat. Janë dënuar të gjithë për gabimet që kanë bërë. Nëse shikon statistika­t se kush ka gjykuar në Superiore, kuptohet qartë. Të gjithë kanë kaluar në "sitë", askush nuk është i paprekshëm nga gjyqtarët.

Ju thoni që gabimet nuk janë bërë me dashje, por në fakt ato kanë ndikuar në rezultatet e takimeve. Çfarë u garantoni ju klubeve që të kenë besim për vazhdimësi­në?

Edhe sezonin e kaluar kështu ka qenë situata. Pas fazës së parë, klubet gjithnjë e më shumë nisin të merakosen për punën e pikëve dhe rezultatet në ndeshje të caktuara. Tashmë që jemi në fazën e dytë klubet rrisin pretendime­t e tyre dhe, sa herë gabojnë, ia faturojnë arbitrimit. Megjithatë, e rëndësishm­e është që këto gabime të mos jenë me dashje. Të gjithë në punën e tyre gabojnë, edhe arbitrat njerëz janë. Klubet ankohen vazhdimish­t për arbitrat dhe çdo sezon në këtë periudhë nisin të bëjnë "presion". Natyrisht kjo situatë nuk mund të kalojë kaq lehtë dhe kush ka arbitruar keq, do të ndëshkohet.

Klubi i Luftëtarit pretendon se nuk keni marrë dakordësin­ë e tyre që ndeshja ndaj Laçit të luhet të hënën. Si është e vërteta?

Kalendari për javën e 11-të ka qenë i përcaktuar shumë më herët dhe klubet janë njoftuar disa ditë përpara. Për rastin konkret, meqë Laçi-Partizani ishte lënë për të enjten, nuk mund të luante të dielën, pasi takimin e radhës e kishte në transfertë dhe i duhet të udhëtojë një ditë para. Nga ana tjetër, Luftëtari kishte dy takime në shtëpi.

Drejtuesit e Orikumit pretendojn­ë se ju i keni konfirmuar që nuk është bërë asnjë pagesë nga klubi ose lojtari i Elbasanit, Renato Hyshmeri, për konvertimi­n e dënimit. Si

është e vërteta?

Drejtuesit e Orikumit kanë ardhur të hënën në FSHF dhe janë interesuar për situatën e lojtarit të Elbasanit. I kam sqaruar, por jam habitur me deklaratën që kanë bërë, pasi kanë shprehur komplet të kundërtën e asaj që unë u kam thënë.

Çfarë i keni thënë më konkretish­t?

Elbasani ka një gjendje llogarie në euro nga "Fondi i Solidarite­tit", që jep UEFA për klubet e Superiores të dy sezoneve më parë. Kanë bërë një shkresë që pagesa prej 3 milionë lekësh të vjetër për lojtarin Hyshmeri të mbahet nga kjo llogari. Të njëjtën kërkesë ka bërë edhe klubi i Flamurtari­t, që luajti me tifozë në ndeshjen ndaj Skënderbeu­t. Pra, ua kemi mbajtur shumë nga kjo gjendje që kanë. Nuk e di se ku e ka marrë vesh drejtuesi i Orikumit që Elbasani s'ka paguar lekët, në një kohë që nuk ka qenë e nevojshme të vijë në FSHF për t'i dorëzuar "kesh". Elbasani ka bërë shkresë zyrtare që t'ia mbajmë lekët nga ky fond, kjo është e gjitha. UEFA ka dhënë një fond të konsiderue­shëm dhe të gjitha klubet janë duke e shfrytëzua­r këtë situatë. Nuk ka asnjë shans që një futboll i dënuar të luajë pa bërë konvertimi­n me gjobë.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania