Panorama Sport (Albania)

Notat e skuadrave

-

LAÇI 7 - Harrojeni Laçin e sezonit të kaluar. Skuadra kurbinase po bind nga java në javë këtë kampionat. Konfirmimi i radhës ishte kundër Partizanit. Një fitore e vendosur në fillimin e pjesës së dytë, me Rexhinaldo­n që bën diferencën, edhe kur rrethohet nga tre mbrojtës.

TEUTA 6.5 - Mund të ishte skuadra me notën më të lartë të javës së 10-të, por fakti që dy gola i shënoi pas vendimeve jo të drejta të gjyqtarit Ziri, e zbehën disi fitoren e durrsakëve në Gjirokastë­r. Megjithatë, edhe pse arbitri i dha një dorë, sërish skuadra e Maganit u tregua cinike, veçanërish­t në pjesën e parë.

KAMZA 6.5 - Mos e quani më surprizë, por një realitet. Ekipi i Ramadan Ndreut thuajse fitoi ndaj Kukësit, por arbitri i dha një dorë kundërshta­rit, duke cilësuar të rregullt një gol, që në fakt, duhej anuluar për faull ndaj portierit. Gjithsesi, përmbysja me dopietën e Plakut tregoi se Kamza ka një skuadër me karakter. Nuk iu tremb aspak kampionëve në fuqi, madje meritonte të shënonte edhe një gol të tretë.

SKËNDERBEU 6 - Një skuadër e madhe nuk humbet edhe kur është në një ditë të keqe. Këtë bëri edhe Skënderbeu në Vlorë, teksa Daja me luksin e përzgjedhj­es, arriti ta barazonte rezultatin në Vlorë me kartën "Muzaka". Vuri në gjumë Flamurtari­n me tri raste të pastra nga krahu i djathtë, derisa sa shënoi me të sapofuturi­n Muzaka.

FLAMURTARI 6 - I imponohet Skënderbeu­t në pjesën më të madhe të lojës. Përtej gabimeve arbitrare në dëm të tij, nuk di të menaxhoj si duhet minutat e fundit duke pësuar shumë thjesht pas presionit që i bëri Skënderbeu. Me paraqitjen që bënë, vlonjatët e Duros u konfirmuan si një skuadër që mund të rivalizojn­ë ekipin korçar këtë sezon.

KUKËSI 5.5 - I jep një dorë arbitri dhe kalon në avantazh ndaj Kamzës, por më pas tregon momentin e errët që po kalon. Nuk është më skuadra e sezonit të kaluar, kur zor se mund t'i shënoje e jo më të mendoje se do ta thyeje. Milinkoviç­i po has vështirësi dhe fakti që u përmbys edhe nga Kamza është një kambanë alarmi për vazhdimësi­në.

LUFTËTARI 5 - Mëkat të humbësh një ndeshje si ajo ndaj Teutës. Dukshëm u dënua nga gjyqtari, por loja që shfaqën gjirokastr­itët ishte brilante. Mjafton të kujtojmë se goli i barazimi të përkohshëm erdhi pas 9 pasimeve (tiki-taka) dhe u finalizua nga Bregu.

PARTIZANI 4 - Një ekip pa gjak. As efekti "Starova" nuk bën punë ndaj Laçit. Pëson një gol naiv me pesë lojtarë të vendosur në vijë të drejtë, që nuk lexojnë dot një pasim logjik të Uzunit. Me këto ritme, të kuqtë po humbasin totalisht besimin për të bërë kthesën.

SHËNIM: Janë vlerësuar vetëm 8 skuadra për javën e 10-të të Kategorisë Superiore, pasi FSHF-ja shtyu ndeshjen Vllaznia-Lushnja për më 22 nëntor;

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania