Panorama Sport (Albania)

Plas te Reali, Benzema akuza Ronaldos

Sipas "Diario", CR7 i zë hapësirat dhe Zizu s'guxon ta heqë

- Përgatiti: ANDROKLI DRALO

Karim Benzema ka shpërthyer. Ylli i Realit të Madridit, i cili është vënë nën shënjestër për problemet e klubit të tij për formën përpara porte, mendon se gishti i akuzës duhet drejtuar nga ai, po aq sa edhe nga Kristiano Ronaldo dhe trajneri Zinedin Zidan. Sipas "Diario Gol", sulmuesi francez, i cili ka shënuar vetëm dy gola në 13 ndeshjet e këtij sezoni në të gjitha kompeticio­net (1 në La Liga), ia ka përcjellë presidenti­t Florentino Perez shqetësime­t e tij. Sulmuesi u zëvendësua 14 minuta nga fundi i derbit kundër Atletikos në barazimin 0-0 në "Metropolit­ano" të shtunën, rezultat i cili i la kampionët 10 pikë pas Barcelonës kryesuese. Por, sipas gazetës spanjolle, ish-talenti i Lionit i është ankuar presidenti­t se ai do të kishte qenë më efikas në sulm, në rast se Kristiano Ronaldo nuk do të shkelte shpesh në hapësirat e tij në sulm. Edhe Kristiano Ronaldo ka shënuar 1 gol në këtë sezon, por Benzema mendon se Zidan vazhdon të tregojë besim te portugezi, për shkak të statusit të tij të padiskutue­shëm në klub. Gjithnjë sipas burimeve të "Diario Gol"-it, 29-vjeçari i është ankuar Perezit për trajtimin special të "Topit të Artë" dhe ka kërcënuar se, nëse statusi i tij në klub nuk do të ndryshojë, pra ai të respektohe­t më shumë, atëherë ai mund të shqyrtojë mundësinë e largimit. Benzema luan në "Bernabeu" prej vitit 2009 dhe ka shënuar 182 gola në 378 ndeshje me fanellën e "Los Blancos".

MË TË DOBËTIT - Vija e parë e sulmit të kampionëve të Spanjës dhe Europës ka qenë një nga më të frikshmet, por shifrat e këtij sezoni e kanë bërë që ajo të humbasë shumë nga prestigji që "BBC" ka gëzuar gjithë këto vite. Benzema dhe Ronaldo kanë shënuar vetëm nga një gol këtë sezon në La Liga dhe një shifër e tillë i bën ata dyshen sulmuese më të dobët të 5 kampionate­ve kryesore të Europës.

Nga 98 klubet e La Ligës, Premier Ligës, Ligës së Parë Franceze, Bundesligë­s dhe Serisë A, vetëm dy sulmuesit e Beneventos, të cilët renditen në vend të fundit të kampionati­t italian, kanë një rekord më të dobët. Kurrë më parë një dyshe sulmuese e Realit nuk kishte shënuar kaq pak në 12 javët e para të kampionati­t. Si për ironi të fatit, Ronaldo dhe Benzema mbajnë edhe rekordin e numrit më të madh të golave vendosur në 2014-'15 (27). Në sezonet 1942-'43 dhe 1984-'85, dyshet Alonso-Boteja dhe Santijana-Butragenjo kishin shënuar 3 gola në këtë fazë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania