Panorama Sport (Albania)

Gladbahu trondit Bajernin, Hejnkes humb të parën

Vidal kujtohet vonë, Lajpcigu tani është -3 pikë

-

Surpriza e dytë e javës në Bundesligë është humbja e Bajernit të Mynihut. Borusia e Mënshengla­dbahut ndërpret serinë pozitive të Jup Hejnkesit në stolin e kampionëve të Gjermanisë dhe arrin një fitore 2-1 në "Borussia Park", e cila u lejon atyre që të arrijnë Shalken në vendin e tretë. Hejnkes, i cili në Gladbah ka qenë lojtar dhe trajner, deri ditën e djeshme kishte fituar 9 ndeshje nga 9 të luajtura. Bavarezët humbasin kështu avantazhin nga Lajpcigu, të cilët pas fitores ndaj Bremenit (2-0) renditen vetëm 3 pikë larg kreut. Vendimtar për rrëshqitje­n e Bajernit, goli i Hazardit (me penallti fituar nga vetë ai) dhe Ginter (asist i të zakonshmit Shtindël) shënuar në minutën e 39-të dhe 44-ët të pjesës së parë. Kampionët e Gjermanisë, të privuar nga shërbimet e Nojerit, Mylerit, Riberisë, Robenit dhe Tiagos, ngritën ritmin në pjesën e dytë: Koman goditi edhe shtyllën, ndërsa goli i Vidalit erdhi tepër vonë (74') për të bërë që të dridhen këmbët e skuadrës vendëse, e cila ishte tërhequr shumë në thellësi për të mbrojtur rezultatin. Çuditërish­t, i pari që e mund teknikun 72-vjeçar në këtë sezon është Diter Heking (është stërvitur në Gladbah nga trajneri i Bajernit nga 1983-1985). Por pavarësish­t gjithçkaje, lajmi i ditës në Bundesligë nuk ishte kjo ndalesë e Bajernit, por 4-4 mes Borusias së Dortmundit dhe Shalkes.

RASTET - Shansi i parë i vërtetë i ndeshjes kalon nga këmbët e të zotëve të shtëpisë, me Rafaelin, i cili çmarkohet mirë përballë Ulraishit, por në mënyrë të pabesueshm­e godet jashtë. Në 29', Rudi provon nga jashtë zone, por gjen duart e Zomerit. Në 37', Zyle bën një faull naiv ndaj Hazardit në zonë dhe belgu nuk gabon nga pika e bardhë. Reagimi i Bajernit nuk vonon të vijë me Levandovsk­in, i cili me thembër e stampon topin në shtyllë. Por, përpara pushimit, vendësit godasin sërish me Ginterin, i cili ndoqi depërtimin spektakola­r të Shtindëlit. Në pjesën e dytë, Martinez i afrohet golit, por nuk arrin të tregohet i saktë nga pak metra. Pas një ore lojë, Vestergard për pak sa nuk shënon autogol, ndërsa Zomer pret goditjen me kokë të Humelsit. Në 66', Komanit i thotë jo Zomerit dhe shtylla. Por numri 1 i Zvicrës nuk mund të bëjë dot asgjë në të majtën fluturimth­i të Vidalit nga jashtë zone, e cila shkurton diferencën. Në 92', Dërmiç tregohet egoist dhe shpërdoron golin e nokautit, ndërsa Bajerni ka kohë edhe për rastin e fundit, por është i pafat, kur Gladbahu largon topin mbi vijën fatale.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania