Panorama Sport (Albania)

Hënes: Ançelotin e shkarkoi stafi i tij

“Çdo ditë nga një zënkë mes tyre, kështu s’vazhdohej më”

- Përgatiti: ANDROKLI DRALO

Trajneri i fituesit, Xhovani Mauri. Djali i tij, Françesko. I biri i Karletos, asistenti Davide. Nutricioni­sti Mino Fulko, dhëndri i Karletos. A ishte klani familjar italian arsyeja kryesore për shkarkimin e teknikut italian nga Bajerni? Të paktën këtë thotë presidenti. Karlo Ançeloti pagoi koston e zënkave të shkaktuara nga stafi i tij. Është ky versioni që ka dhënë presidenti i Bajernit, Uli Hënes për shkarkimin e trajnerit italian gjatë një interviste për "Bild". Numri 1 i kampionëve iu rikthye edhe njëherë vendimit të klubit për të ndërprerë kontratën me Ançelotin gjatë muajit shtator. "Me Ançelotin nuk kishte asnjë problem. Me të shkonte gjithçka shumë mirë", shpjegon Hënes. "Por, çdo ditë kishte një zënkë mes fizioterap­istëve, mjekëve dhe bashkëpunë­torëve të Ançelotit. Dhe me një staf të tillë nuk mund të punohet në mënyrën e duhur. Diskutohej më shumë se kush duhej të ulej në stol se sa për aspektet e rëndësishm­e të ndeshjeve dhe kjo e parë në terma afatgjatë nuk mund të ishte pozitive për skuadrën", komentoi 65-vjeçari. Ai zbuloi gjithashtu se shkaku i këtyre zënkave ishte edhe arsyeja përse trajneri la në stol një pjesë të yjeve në ndeshjen kundër PSG-së në Champions: "Unë kisha shpresën se me Jupin këto probleme, të cilat ndikuan në situatën e brendshme të skuadrës, do të përmirësoh­eshin". Hënes e preku edhe gjatë fjalimit në Asamblenë e Përvitshme të klubit temën e shkarkimit të Karletos: "Nëse asamblenë vjetore do e kishim pasur përpara 6 javëve, atëherë do ishim më pak të lumtur. Ishte ajo natë e Parisit

që e zgjoi këtë ekip". Në fjalimin e së premtes, edhe shefi i bordit, Karl- Hainc Rumenige, konfirmoi sa të vështirë e kishte pasur klubi për të shkarkuar italianin: "Ai është një njeri dhe trajner shumë i mirë. U shpallëm kampionë së bashku, por ndonjëherë një trajner dhe një klub i suksesshëm nuk përshtaten së bashku. Kur i thashë vendimin, Karlo më tha: 'Dakord, ti nuk je më shefi im, por do mbetesh miku im'".

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania