Panorama Sport (Albania)

U godit me gurë nga tifozët, Idrizi: Ju tregoj dhunën në Laç

"I lumtur që luaj titullar me Skënderbeu­n e vështirë"

- SKERDILAID SULOZEQI

Bujar Idrizi ishte një nga lojtarët që u godit në Laç nga tifozët kurbinas. Mbrojtësi i Kukësit tregon për "Panorama Sport" momentet e kaosit dhe thotë se të fitoje në atë fushë, nuk ishte aspak lehtë. Idrizi flet gjithashtu për ecurinë personale dhe për objektivat e sezonit.

Idrizi, çfarë ndodhi në ndeshjen ndaj Laçit?

Për ne ishte një ndeshje e radhës, të cilin donim ta fitonim. Ia dolëm të merrnim 3 pikët, por ajo ndeshje futbolli u kthye në një situatë që askush në sport nuk duhet ta përjetojë. U goditëm dhe u shamë në kor.

Me çfarë u goditët dhe për çfarë arsye?

Jam goditur me gurë. Nuk e di çfarë patën tifozët me mua apo me shokët e skuadrës. Duhet të ishte thjesht një ndeshje futbolli e luajtur "fair play".

Sa e vështirë ishte të luaje pas asaj që ndodhi?

Më shumë se sa dëmtim fizik dhe dhimbje, në ato momente kalon ngarkesë emocionale të madhe. Është shumë e vështirë të luash dhe vetëm për futboll nuk mund të flitej pas atyre që ndodhën.

Po tani si jeni?

Tani jam më mirë, por sigurisht i tronditur nga ajo që ndodhi.

Ju ka ndodhur ndonjëherë më parë diçka e tillë në Kosovë?

Në Kosovë kam parë skena të tilla, por jo kaq të rënda. Fyerjet dhe sharjet nuk janë të tilla. Nuk ka pasur kurrë momente kur goditen dhe gjakosen lojtarët. Kjo është e patolerues­hme. Jam ndier shumë keq kur pash një tifoz të Kukësit të gjakosur. Këto skena nuk u bëjnë mirë as ekipeve dhe as tifozëve. Është anë e errët e futbollit shqiptar dhe e Kategorisë Superiore.

Ka dallime të tjera mes kampionati­t në Kosovë dhe në Shqipëri?

Dallimi mes dy kampionate­ve është i madh në aspektin e përgatitje­s fizike dhe taktike. Ka shumë diferencë në favor të Superiores.

Ta lëmë pas atë që ndodhi dhe të flasim për futbollin. Kukësi mori 3 pikë të rëndësishm­e...

Sigurisht që kjo na bën ta harrojmë disi atë moment. Ishte një atmosferë e vështirë në Laç. Humbëm raste pa fund sepse mund të kishim shënuar shumë gola. Edhe Laçi kishte rastet e tij, por për fat nuk shënuan nga penalltia.

Si është të jesh titullar në skuadrën kampione?

Mundohem që të jap më të mirën si në lojë edhe në stërvitje. Tani jam përshtatur mirë. Musolli më ka ndihmuar shumë me këshillat e tij. Po kaloj një formë të mirë dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Nëse luaj apo jo, e vendos trajneri.

Ndeshja e ardhshme do të jetë ndaj Skënderbeu­t.

Do të jetë e vështirë. Ata janë ekip i fortë, por ne do të bëjmë të pamundurën për të marrë pikë. Nuk u trembemi. Do të luftojmë deri në fund për të mbrojtur titullin kampion.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania