Panorama Sport (Albania)

Javë surprizash, kur Tirana futet në..."burg"

-

Javë surprizash në Kategorinë e Parë. Tirana nuk e kishte shkuar nëpër mend që do të luante ndonjëherë për kampionat me Shënkollin, një klub i krijuar vetëm pesë vite më parë dhe që përfaqëson një komunë në rrethin e Lezhës. Por, për më tepër, ndalesa në këtë sfidë ishte e pallogarit­shme më parë. Klubi më i titulluar në Shqipëri ngeci në një barazim 1-1 në transfertë­n e Shënkollit, ndërsa i shpëtoi nga humbja një gol i Karabecit me penallti. Ndërsa, skuadra lezhjane regjistron rezultatin më pozitiv në historinë e vet, një barazim që do të mbetet tashmë si arritje e këtij klubi të vogël. Bardheblut­ë e patën të vështirë përballë Shënkollit, ndërsa lojtarët dhe trajneri u ankuan për fushën që nuk ishte në kushtet e duhura. Megjithatë, Tirana vazhdon të kryesojë dhe me barazimin e së shtunës, e ka çuar në + 4 diferencën nga Bylisi i vendit të dytë. Ballshiotë­t nuk ditën të përfitonin dhe u mundën 3- 1 në takimin e tyre në Fier. Apolonia bëri një prej ndeshjeve më të mira të këtij sezoni duke marrë një fitore bindëse përballë një prej rivalëve për vendin e parë. Sulmuesi Blerim Krasniqi është duke kaluar formën e tij më të mirë dhe në ndeshjen e së shtunës shënoi dopietë. Ndërsa ballshiotë­t pësuan humbjen e parë për këtë kampionat dhe u thyen pas gjashtë muajsh. Ekipi nuk njihte humbje që prej majit të këtij viti, kur u mundën 1-0 nga Lushnja në ndeshjen e fundit të kampionati­t të kaluar. Megjithatë, gjithçka mbetet e hapur në luftën për vendin e parë. Tomori është duke kaluar një moment jo të mirë. Përveç faktit që skuadra vazhdon t'i luajë ndeshjet si pritëse në stadiumin e Kuçovës, ekipi ka treguar oshilacion­e në këtë fazë të parë. Për më tepër, një ditë përpara ndeshjes me Ilirinë në Fushë- Krujë, ish- trajneri Santiliano Dule dha dorëheqjen duke deklaruar se këtë vendim e merrte për arsye personale. Dhe skuadra në fushë në sfidën me Ilirinë u mund me rezultatin 1- 0. Pogradeci vazhdon të mos falë në fushën e vet dhe të shtunën mori fitoren e parë duke mundur Turbinën 2- 1. Ndërsa, Naftëtari ishte shumë pranë fitores së dytë në kampionat, por u barazua në fund nga Shkumbini. Kuçovarët vazhdojnë të mbeten në vendin e fundit në klasifikim. Në Grupin A, Kastrioti e mbyll fazën e parë si skuadra më e mirë e Kategorisë së Parë. Krutanët mundin Erzenin 3-1 dhe tashmë janë + 8 pikë nga vendi i dytë. Ekipi duket në rrugën e duhur drejt objektivit që ka, rikthimit në Superiore. Rivalët e Kastriotit ngecin sërish duke treguar se e kanë të vështirë të ruajnë ritmin e skuadrës krutane. Besëlidhja ngec në një barazim 1-1 në Pezë përballë Dinamos, ku presidenti Gjok Noka ka kontestime për gjykimin. Besa që e nisi me synime të qarta këtë sezon duke shpallur objektiv ngjitjen në elitë, është në një krizë të thellë. Verdhezinj­të kanë arritur të grumbulloj­në vetëm një pikë në katër takimet e fundit. Ekipi i drejtuar nga Bledar Sinella renditet në vendin e 4-t me 13 pikë, dhjetë më pak se Kastrioti që është në krye. Në sfidën e së shtunës, ekipi nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola ndaj Korabit në transfertë. Egnatia bën një tjetër hap fals, ku në fushën e vet barazon pa gola me Tërbunin. Ndërsa, Vllaznia B vazhdon të mos ndalet duke fituar edhe sfidën e radhës ndaj Burrelit me rezultatin 1- 0. Besar Bozgo

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania