Panorama Sport (Albania)

Xhejms: Nuk do ndalem, shënoj edhe në Zvicër

-

Pas gjetjes së golave si në Europë ashtu edhe në kampionat, sulmuesi i Skënderbeu­t, Xhejms Adeniji, nuk kërkon të ndalet me kaq, por të vazhdojë me këtë ritëm gjetjen e rrugës së rrjetës. Objektivi i radhës është goli edhe në Zvicër përballë Jang Bojsit, që aq shumë e tundon nigerianin, teksa shpreh bindjen se Skënderbeu i ka të gjitha shanset të marrë një rezultat pozitiv. Xhejms ka kërkuar që t'i bëjnë një mbyllje të mirë Europës dhe më pas të përqendroh­en në kampionat për të vijuar rrugën bindshëm drejt titullit. "Golat e fundit më kanë ndihmuar shumë dhe njëkohësis­ht janë një qetësi akoma më e madhe për një sulmues. Besoj se erdhën në momentin më të duhur, pasi kisha vërtet nevojë të gjeja rrugën e rrjetës. Sigurisht që tani e rëndësishm­e është që të vijoj me këtë ritëm dhe të mbaj të njëjtën ecuri për shënimin e golave. Kur e them këtë, dua që të përsëritem edhe në ndeshjen e fundit të Europës. Jam i sigurt se kemi mundësinë që të bëjmë një tjetër paraqitje të madhe, edhe pse do të jetë një ndeshje e vështirë. Do të kërkojmë të marrim më të mirën dhe të mbyllim me sukses këtë kapitull për t'u përqendrua­r te kampionati. Është ai objektivi jonë primar dhe duam që të mbyllim sa më shpejt çështjen e titullit. Është e vërtetë që kemi krijuar një diferencë të madhe me vendin e dytë, pasi tetë pikë janë goxha, por ende është gjithçka e hapur. Ka shumë javë për t'u luajtur dhe duam të mos e ulim përqendrim­in", theksoi Xhejms për "Panorama Sport". I pyetur për përshtatje­n me Souenë në sulm, ai u shpreh: "Ndihem shumë mirë dhe më mungoi ndeshjen e fundit. Shpresoj të kthehet shpejt, pasi është një ndihmë e madhe për ne në repartin e avancuar".

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania