Panorama Sport (Albania)

“Ngjis Tiranën, pastaj mendoj të ardhmen”

-

Asion Daja nuk bën shpesh gola dhe kjo dihet. Por kur ia del, mendon që të realizojë kryevepra. Dhe dje veproi pikërisht kështu, duke zhbllokuar rezultatin me një gjuajtje nga 25 metra. Mesfushori në një deklaratë të dhënë për "Panorama Sport", ka treguar se ndeshja nuk ishte edhe aq e thjeshtë sa duket nga rezultati, por foli edhe për të ardhmen. "E kishim vlerësuar shumë si ndeshje dhe donim që ta mbyllnin sa më shpejt, pasi kujtonim javën e parë në ' Selman Stërmasi', kur i njëjti kundërshta­r na hapi probleme. Na doli lehtë le të themi, megjithatë edhe aq e thjeshtë nuk është se ishte. Ndeshja ishte e luftuar nga të dyja ekipet, por për meritën tonë gjetëm golat e shpejtë. Dhe më shumë se gabimet e kundërshta­rit, ishin meritë e jona. Te Tirana shënojnë të gjithë, jo vetëm sulmi? Kjo ndodh pasi të gjithë lojtarët duan që te Tirana të fitojë dhe të kthehet sa më shpejt aty ku e ka vendin. Por suksesi ynë është edhe meritë e grupit që u ruajt. Sa i përket golit, ky është i dyti për mua. Kur më erdhi topi në këmbë dhe do ta gjuaja, kisha besim se do të shkonte në rrjetë. Por besimi ishte i të gjithëve në fakt, jo vetëm i imi, por rastisi që të isha unë ai që do zhbllokoja rezultatin. Ne nuk mund të bëjmë më blofe", u shpreh fillimisht mesfushori. Partizani e ka në plane, megjithatë lojtari tregohet tejet diplomat kur thotë: "Nuk po mendoj për kontratën tani. Prioriteti im dhe i të gjithëve është që të ndihmojmë dhe ngjisim Tiranën. Sa u përket ofertave që fliten, do vendos në të ardhmen".

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania