Nga zjarrfikës te stilist, ja profesionet e arbitrave
Puna e gjyqtarëve, kancelar në universitet dhe gazetar
Brenda një 90minutëshi janë njerëzit më të kontestuar. Nëse një futbollist, skuadër apo trajner e vërshëllejnë gjysma e tifozërisë, pra, ajo kundërshtare, kur vjen puna te "xhaketat e zeza", kontestimi vjen nga i gjithë stadiumi. Një rivënie e akorduar gabim, një 11metërsh i mohuar, një karton i dhënë pa të drejtë e shumë nga këto situata i vendosin gjyqtarët nën presionin dhe trysninë e publikut të pranishëm në stadium dhe jo vetëm. Mirëpo, nëse për futbollistët nuk ka shumë sekrete për jetën e tyre në lidhje me shkollimin dhe profesionin, për arbitrat ka shumë anë "të errëta", të cilat nuk janë bërë me dije. Por, secili prej 18 arbitrave kryesorë në Kategorinë Superiore ka një profesion dhe punë të tijën në përditshmëri.
PROFESIONET
"Panorama Sport" ka arritur të marrë disa të dhëna zyrtare në sektorin e gjykimit pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Bëhet fjalë për deklarimet e vetë "bilbilave" të Superiores, në momentin që kanë plotësuar dokumentacionin e punëmarrësit pranë institucionit të futbollit në vend. Nga sa vihet re, gjyqtarët elitarë në vend u përkasin profesioneve të ndryshme. Nga ai i inxhinierit deri te profesioni i gazetarit. Gjithashtu, ka të tillë profesione të rrezikshme, si ai i zjarrfikësit apo edhe që merren me estetikën, si ai i stilistit. Në radhët e arbitrave ka gjithashtu të punësuar si psikologë, mësues të edukimit fizik, por edhe të matematikës, ekonomistë, menaxherë të shitjeve, deri te profesioni i kancelarit pranë një universiteti. Mirëpo, momentalisht, në radhët e tyre rezulton edhe një < i papunë, kjo sa i përket të dhënave të deklaruara të gjithsecilit pranë institucionit të futbollit, në sektorin e arbitrimit. ARBITRAT
Në krye të listës është gjyqtari i kolegjiumit të Elbasanit, Enea Jorgji. Një nga stemat e FIFA- s në vend, i cili së bashku me gjyqtarin tjetër ndërkombëtar, Juxhin Xhaja, i përkasin profesionit
të ekonomistit. I pari, pranë Bashkisë së Elbasanit, ndërkohë që i dyti, në zyrat qendrore të Hipotekës. Prej arbitrave kryesorë të Superiores, 7 janë mësues. Koçi, Kola, Sino, Cjapi, Ferataj, Shahini e Sadiku i përkasin të njëjtit profesion në përditshmërinë e tyre, por ky i fundit përbën dallim nga të tjerët. Nëse gjashtë të parët zhvillojnë orën e edukimit fizik, Remzi Sadiku i kolegjiumit të Elbasanit jep lëndën e matematikës. Në këtë rast vlen si këshillë për të gjithë futbollistët që ndaj tij, çdo minutë apo karton, është i përllogaritur me saktësinë e një profesionisti. Pak javë më parë ishte pikërisht Meta që arbitroi në humbjen e thellë të Partizanit në Gjirokastër, kur edhe vetë kryesori lavdëroi Abazajn për golin e shënuar. Në fakt, kush më mirë se një kancelar pranë universitetit
do të dijë të japë një vlerësim akademik për një gol të tillë që rrallëherë shihet në futbollin shqiptar? Kolegjumi i Tiranës ka mes tyre një arbitër me profesionin inxhinierit si Ardian Beqiri, ndërsa në Shkodër, Indrit Myrtaj është psikolog. Nëse ka një njeri që e ushtron më së miri autoritetin që jep statuja e gjyqtarit kryesor është Blerim Ziri për vetë profesionin e tij si polic. Në Lezhë, ndër arbitrat e Superiores, është rekrutuar dhe arbitron një menaxher shitjesh si Eldorjan Hamiti, ndërsa në Lushnjë ka një arbitër që u përket profesioneve të vështira. Më shumë se sa ai në fushën e lojës kur i duhet të përballojë presionin e tifozërisë. Laver Alla i kolegjiumit të Lushnjës është zjarrfikës. Ndaj, nëse ka ndonjë rast që delegatët nuk duhet ta mendojnë mosrespektimin e rregullores për zjarrfikësen është kur në fushë të arbitrojë ky gjyqtar. Dizajni i uniformave për skuadrat është shndërruar më së shumti "diktat" i sponsorëve apo firmave të ndryshme të veshjeve. Mirëpo, sektori i gjykimit në FSHF ka privilegjin që mes tyre të ketë një sy kritik të zanatit. Orlando Kuka i kolegjiumit të Tiranës, me profesion stilist, duhet të jetë në qendër të vëmendjes në vigjilje të çdo sezoni për të dhënë shpjegimet e tij rreth uniformave. Sigurisht, brenda mundësive të dizajnit që lejojnë rregulloret e UEFA-s dhe FIFA-s. I renditur i fundit në listën emërore, qoftë edhe për vetë qëndrimin që kanë "xhaketat e zeza" për mediat, është Fatjon Xhemalaj. Gjyqtari i kolegjiumit të Elbasanit ushtron profesionin e gazetarit.