Panorama Sport (Albania)

Partizani, skuadra me pushimet më të gjata

Gabimet e verës mund të përsëriten sërish te të kuqtë e kryeqyteti­t në janar

-

E mbani mend Partizanin e periudhës së verës, i cili ishte klubi që kreu pushimet më të gjata, afroi 15 lojtarë dhe që ishte skuadra me më pak ndeshje miqësore gjatë fazës intensive përgatitor­e? E njëjta gjë mund të përsëritet edhe në dimër te "demat e kuq". Për shkak të axhendës që ndoqën në verë pati ankesa nga stafi teknik në periudhën e parë të sezonit, pasi ata thanë se ekipi vinte nga pushime të gjata dhe i duhej kohë që të harmonizoh­ej, koha në dispozicio­n nuk ishte e mjaftueshm­e, si dhe zhvilluan vetëm tri ndeshje miqësore. Situata aktuale e klubit ngjan shumë me atë që ndodhi në verë. Që nga 22 dhjetori dhe deri më sot te të kuqtë mbizotëron një atmosferë përgjumje, gjë e cila ka sjellë edhe shqetësimi­n e dashamirës­ve të skuadrës që shpresojnë se drejtuesit e rinj do të ndjekin një politikë ndryshe nga e shkuara. Ashtu si në verë, edhe merkatoja e dimrit e gjen Partizanin si klubin me pushimet më të gjata. Ndonëse thuhet se drejtuesit e kanë gjithçka gati, duke filluar nga përforcime­t dhe faza përgatitor­e, axhenda e "demave" u zbulua mbrëmë. Ja njoftimi i klubit për axhendën e minifazës përgatitor­e në Antalia: "Viti 2018 do të rikthejë në fushë skuadrën në 6 janar, datë kur edhe do nisin zyrtarisht përgatitje­t. Në kompleksin sportiv të Ekipeve Kombëtare në Kamzë, grupi i lojtarëve do të zhvillojë edhe seancën e parë në program, në orën 16: 00. Ekipi do të qëndrojë në kryeqytet deri më datën 8 janar për të udhëtuar më pas drejt Turqisë në Antalia, ku do të kryejë fazën përgatitor­e. Përgjatë qëndrimit 10-ditor në Antalia, 15 herë kampionët e vendit do të luajnë edhe 2 ndeshje miqësore. Në datën 12 janar të kuqtë do të përballen me ekipin turk, Kasimpasha, ndërsa më 15 janar me ekipin uzbekistan­as, Pakhtakor Tashkent". Në ditët e fundit të dhjetorit u përfolën shumë emra si alternativ­a të mundshme për Partizanin në merkaton e dimrit, por deri tani klubi ka zyrtarizua­r vetëm dy afrime, Bruno Telushin dhe Esat Malën. Por në dallim nga e shkuara, mësohet se plani i merkatos tani është përqendrua­r në pak duar dhe përgjegjës­i kryesor mbetet drejtori i sapoemërua­r, Olsi Rama.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania