Panorama Sport (Albania)

Konte, i vetmi që i uli hundën Mout, Pepi dhe Vengeri u dorëzuan

- Nga RIAT AL-SAMARRAI

Antonio Konte sapo përfundoi një prej kapitujve më të ashpër të betejave verbale në historinë e Premier Ligës, ndërsa u ftua në një tjetër duel. "A u tundove për të rrëmbyer telefonin dhe t'i telefonoje Murinjos?", e pyetën në konferencë. Ai u bë gati t'ia niste nga e para, të startonte një tjetër sulm, teksa ndërhyri drejtori i komunikimi­t të Çelsit, duke thënë se mjaft është folur për këtë temë. Dhe duke kujtuar fjalët "kloun", "sklerozë", "trukime" apo "njeri i vogël", kush nuk është dakord që është thënë gjithçka? Një gjë është e sigurt, se sherri do të vazhdojë përsëri, të paktën në përballjen e radhës, kur Junajtid të presë Çelsin në "Old Trafford" më 25 shkurt. Por interesant është fakti që vreri i Kontes ndaj Murinjos pas barazimit të Çelsit 0-0 ndaj Noruiçit në Kupën FA, është një tjetër shembull i mposhtjes së portugezit në fushën, ku ai ka qenë gjithnjë një fitues serial. Speciali mund të jetë sot km larg Pep Guardiolës në garën për titullin e fjalës, një kampionat që ai e dominon prej 5.5 sezonesh, por Konte e zbriti nga froni. Italiani u bë trajneri i parë që i përgjigjet dhëmb për dhëmb. Arsen Venger nuk mund ta bënte kurrë një gjë të tillë, pavarësish­t se debati ka arritur deri në epitetet "soditësi" apo "specialist­i i dështimeve". Francezi ende lëshon ndonjë shkëndijë ironie me nënqeshje, por në tërësi nuk i hap kurrë luftë një luftëtari rruge që mban në dorë një shishe të thyer. Por e njëjta gjë vlen edhe për rivalin e tij, Pep Guardiola, deri në njëfarë pike duhet thënë. Në Spanjë, katalanasi i urrente përplasjet me portugezin dhe kryesisht i injoronte sulmet e kolegut të tij, ndërsa Barcelona ishte e zënë duke dominuar pjesën më të madhe të trofeve. Deri të premten, Anglia nuk ishte njohur me luftëtarin Antonio Konte. Tani, edhe ai i nxori dhëmbët. Prisni vetëm kur do kafshojë përsëri...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania