Panorama Sport (Albania)

Seria A më e bukura në Europë, kudo është vendosur kampioni...

-

Spektakli duhet të vazhdojë, por nëse është i mërzitshëm, publiku mund të largohet nga salla përpara kohe. Edhe këtë rrezik e kanë disa nga "teatrot" më të mëdhenj të Europës, nga Premier Liga, Bundesliga deri te kampionati spanjoll dhe Ligue 1. Por Seria A jo, të paktën për momentin. Mbyllja e fazës së parë të kampionati­t e ka gjetur Italinë me dy skuadra që po luftojnë për titullin, Napolin dhe Juventusin. Pesë muaj nga fundi i sezonit, në kampionate­t e tjerë ka një kampion virtual. Kur flasim për mërzi, e kemi fjalën për dominimin e Mançester Sitit të Guardiolës, të Barcelonës së Mesit dhe Suarezit, të PSG- së së Nejmarit dhe të Bajernit. Por për ata që dashurojnë filmat me mister, me surpriza deri në momentin e fundit, ajo që po ndodh në këto kampionate­t e mësipërme është një dramë. Jashtë Italisë, thuajse gjithçka është vendosur dhe skuadrat që përmendëm janë duke menduar se si do të zhvillojnë festën. Madje ndodh që disa prej tyre ta kenë vëmendjen te Champions-i dhe futbollist­ët te Botërori. Çfarë mërzie.

Me Mançester Sitin +15 pikë nga Junajtid në Angli, me Barcelonën, PSG-në dhe Bajernin +9 nga kundërshta­rët e tyre, Seria A për momentin është kampionati që ka vëmendjen maksimale. Tifozët duan të shohin me vëmendje çdo ndeshje dhe çdo rezultat. Diçka që nuk ndodhte prej vitesh. Një lajm pozitiv për futbollin italian që në vitet e fundit ka pasur probleme të shumta. Por, këtë herë nuk është nevoja për t'i bërë reklamë sepse Juventusi dhe Napoli po e bëjnë falas... "Kampionati italian është më i vështiri në botë", ka thënë Zlatan Ibrahimovi­ç. Për momentin është rikthyer të jetë edhe më i bukuri, por, mbi të gjitha, kampionati ku nuk dihet se çfarë do të ndodhë nga dita e sotme deri në maj. Rivaliteti mes Napolit dhe Juventusit ka qenë prezent edhe në vitet e fundit, por këtë herë duket se djemtë e Sarrit e kanë marrë më seriozisht dhe nuk po dorëzohen duke tentuar të bëjnë realitet ëndrrën e tyre. "Zonja" po pret momentin për t'i dhënë goditjen fatale...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania