Panorama Sport (Albania)

Letra e Karlo Ançelotit: Rino, je shpirti i Milanit!

-

Mes shumë urimeve për 40-vjetorin e tij të lindjes, Xhenaro Gatuzo ka marrë një shumë të veçantë nga Karlo Ançeloti. Ish-trajneri i Milanit i ka shkruar një letër të hapur Rinos, e cila u publikua ditën e djeshme në faqet e së përditshme­s italiane "Gazzetta dello Sport" ku thuhej: "Dyzet vjet i dashur Rino, meritojnë një letër urimesh serioze dhe jo thjesht një telefonatë me muhabetet tona të zakonshme e shakatë tona. Dyzet vjet janë një çast reflektimi, pasi ke mjaftueshë­m kohë pas krahëve për kujtime dhe po aq shumë kohë përpara për të ndërtuar të tjera arritje të mëdha. Sot, teksa të shoh në stolin e Milanit, si lëviz lart e poshtë si i çmendur, se si ngre zërin, ulëret e inkurajon lojtarët, mendoj se je njeriu i duhur në vendin e duhur: pasioni yt është i nevojshëm, po ashtu si karakteri yt, shpirti i sakrificës për të kapërcyer vështirësi­të; hareja jote është e dobishme për të shtensionu­ar disa situata e ndonjëherë duhet edhe inati yt solemn për të zgjuar ndokënd që fle, sepse çdo skuadër, çdo grup, ka gjithmonë dikë që fle... Në fushë ishte luftëtari im. Nuk të pashë kurrë të tërhiqesh, e aq më pak me fanellën e pastër, ti ishe gjithmonë aty duke derdhur djersë. Janë pikërisht këto virtyte që kam admiruar ngaherë te ty: aftësia për të arritur objektivat, megjithëse natyra nuk të kishte dhuruar cilësi të jashtëzako­nshme teknike. Sepse - mund ta them apo jo? - këmbët nuk i kishe fort të edukuara! Por grintën që shfaqje në fushë nuk e kishte askush, e aq më pak aftësinë tënde për t'ia transmetua­r ekipit. Eh, sa herë të kam parë duke folur me një shok skuadre për ta shkundur, për të ndihmuar, për ta mbështetur në momentet e vështira! Futbolli është pikërisht KY: përtej skemave e moduleve, përtej lëvizjeve, presingut ose kundërsulm­it, janë disa njerëz. Janë pikërisht këta që bëjnë dallimin. Ti, i dashur Rino, për mua dhe Milanin tonë, ishe ndryshimi. Për tetë vite, pak e shumë, të kam stërvitur çdo ditë, por edhe të kam duruar. Përpara ndeshjeve nuk mund të të afroheshim: gjithmonë nervoz dhe i acaruar. Ishte mënyra jote për t'u përgatitur dhe, meqë edhe unë kur luaja e filloja ndeshjen shumë kohë përpara vërshëllim­ës së bilbilit, me ty dija gjithmonë se si të sillesha. Shpesh të hidhja ndonjë batutë për të të larguar ankthin, herë të tjera ndonjë buzëqeshje. Shpesh kemi dalë edhe shëtitje edhe jashtë dhomave të zhveshjes. Të kujtohet kur ishim në Maltë në janar të 2007-ës? Kaladze po të çmendte me shakatë për ditëlindje­n tënde dhe shokët e tu e mbështetni­n gjatë gjithë kohës. Unë bëja sikur nuk kuptoja, por e dija se me ty nuk duhej ekzagjerua­r as me shakatë sepse përndryshe shfaqej ' ana injorante', siç themi mes nesh. Siç e kisha parandier, një mbrëmje e ndoqe Kaladzen këmba këmbës. As që dua ta di se çfarë ndodhi. Ajo që di, është ajo çka ndodhi disa muaj më pas atij janari. Kur ishim në Maltë ju premtova se do t'ju çoja deri në finalen e Ligës së Kampioneve. Ti dhe shokët e tu më morët për të marrë. Ja që në finale shkuam, madje edhe e fituam. Ti, i dashur Rino, tek ai Milani ishe shpirti i skuadrës. Shpresoj të jesh i tillë edhe nga stoli, ti e meriton!".

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania