E bujshme, Kievo Verona interesohet për Abazajn
Talenti i Luftëtarit mund të shitet që në merkaton e janarit
Kievo Verona intereso het për talentin e Luftëtarit, Kristal Abazaj. Lajmi i bujshëm është konfirmuar dje nga e përditshmja prestigjioze italiane, "Gazzetta Dello Sport", duke iu referuar burimeve zyrtare pranë klubit veronez. Edhe pse ende nuk mund të flitet për një ofertë zyrtare, është fakt se klubi i Serisë A po mendon një transferim të 21-vjeçarit që në merkaton e verës. Sipas gazetës italiane, Kievo kërkon të marrë nga Napoli mesfushorin Emanuele Xhiakerrini, por për këtë të fundit interesohet edhe Atalanta, teksa nuk ka asgjë të sigurt për blerjen. Në këto kushte, presidenti i Kievos po bën sondazhe për një investim të rëndësishëm, duke shënjestruar talentin shqiptar që, vetëm pak ditë më parë, u ble nga Skënderbeu. Vetëm dy vite më parë, presidenti Luka Kampedeli ka shpenzuar për blerjen e shkodranit Armando Vajushi nga bullgarët e Liteks Loveç. Në të kaluarën pjesë e Kievos kanë qenë ish-sulmuesi legjendar i Kombëtares, Erjon Bogdani, si dhe portieri aktual i Kosovës, Samir Ujkani. Ndërkohë, vetë menaxheri i Abazajt, Elton Marini, konfirmoi dje për "Panorama Sport" se bisedimet janë në fazën fillestare me italianët, të cilët janë interesuar për lojtarin, por oferta zyrtare mungon.
PRAPASKENA - Abazaj te Kievo nuk është thjesht një hipotezë, edhe pse për të bërë transferimin, së pari duhet bindur klubi i Skënderbeut, që shpenzoi 200 mijë euro për blerjen e kartonit te Luftëtari. Gazeta mëson se lojtari nga Tropoja ka një avantazh të madh në këtë moment, për vetë faktin se si për koincidencë veronezët kanë një vend bosh në skuadër për ekstrakomunitarët. Bëhet fjalë për lojtarët që nuk kanë një pasaportë të vendeve të Bashkimit Europian, teksa në skuadrat italiane lejohen të luajnë vetëm dy. Mosha e Abazajt, e për më tepër fakti që ai është pjesë e padiskutueshme e Kombëtares U-21 të Shqipërisë pritet të shtyjnë Kievon për të bërë një investim për të ardhmen. Nga ana tjetër,
zor se Skënderbeu mund të lërë të lirë një "xhevahir" për të paktën 1 milion euro, ashtu siç bëri me Liridon Latifin. Gjithçka mbetet për t'u parë, në një kohë që, deri në fund të këtij sezoni, Abazaj do të jetë pjesë e gjirokastritëve. Të paktën kështu kanë rënë dakord drejtuesit e dy klubeve: Ardjan
Takaj dhe Grigor Tavo. Në pjesën e parë të këtij sezoni, lojtari me origjinë nga Tropoja shënoi pesë gola për Luftëtarin. Ai që do të mbetet gjatë në kujtesë është goli kundër Partizanit, që bëri xhiron e botës, teksa 21-vjeçari kaloi këdo që i doli përpara pas një vrapimi nga rreth 70 metra.