Panorama Sport (Albania)

Një jetë me gazetarinë sportive, rrëfehet Skifter Këlliçi

"Themelova Rubrikën Sportive në TVSH, ja surpriza që i bëmë publikut me Ahmet Shqarrin"

- Nga UVIL ZAJMI

Skifter Këlliçi, komentator­i i mirënjohur sportiv sh qiptar sot mbush 80 vjeç. Ai është dalluar edhe si autor librash artistikë e studimorë, romanesh për fëmijë dhe skenarësh kinematogr­afikë. Ishte i pari që filloi në Shqipëri komentimin drejtpërsë­drejti të ndeshjeve të futbollit në radio dhe më vonë edhe në televizion. Emisioni i konceptuar dhe i krijuar fillimisht prej tij, "Rubrika Sportive", vazhdon të transmetoh­et ende sot në Radio Televizion­in Shqiptar. Sot ai mbush 80 vjeç dhe për "Panorama Sport" rrëfen disa nga copëzat interesant­e të jetës së tij. Kujton transmetim­in e parë të një ndeshjeje të Shqipërisë jashtë, apo edhe si censurohes­hin këngët e të rinjve kur ai pat drejtuar festivalin e dytë të këngës në Radio.

I sistemuar prej kohësh në Boston, ku jeton me familjen, Këlliçi rrëfen pasionin për gazetarinë, komentin e parë, Festivalin e Këngës, raportet me Mazrekun, Bellovën, Rubrikat Sportive, Olimpiadën e Mynihut dhe Helsinkin.

Si i kujtoni fillimet?

Si dy vëllezër binjakë, që nisëm të luanim që 10 vjeç dhe, krahas futbollit, ndesheshim në mundje, boks, skermë, tenis, pingpong. Gjithmonë fitonte Luani. Me profesion inxhinier ndërtimi, vite më pas, ai u bë sportist i shquar, kampion në tenis dhe pingpong, pastaj edhe në bilardo. Bashkë me Agron Rekën kanë qenë trajnerë të përfaqësue­ses në pingpong, pastaj trajner i ekipit të tenisit. Kontribut i tij është edhe si projektues në ndërtimin e Parkut të tenisit te shkolla "D'Ora Distra" (Ish-Shallvaret). Ndërsa unë kam luajtur basketboll, me të rinjtë e Tiranës, në atletikë në vitin 1955, kam qenë kampion me të rinjtë në trehapësh, por prirjet dhe pasioni im ishte për letërsinë, kur më 1959 zgjodha rrugën e gazetarisë sportive.

Nga Borova te Vogli?

Ishte rastësi kur Feti Borova, ndër shahistët dhe basketboll­istët më të mirë të vendit, bëri një simultane me ne shahistët pionierë. U gëzova pa masë, kur në një shkrim të botuar në gazetën "Sporti Popullor", për këtë simultane, midis emrave, lexova dhe emrin tim. Ndërsa në një rast tjetër, isha në vitin e tretë në gjimnaz, kur Qemal Vogli duke më nxitur, para një takimi Dinamo-Partizani, më tha: "Bëje shkrimin gati, të hënën do të shkojmë bashkë te zyrat e ' Sportit', pasi i njoh gazetarët". E falënderov­a, por shkrimin nuk e bëra.

Cili ka qenë shkrimi juaj i parë te "Sporti"?

Vëllai im, Luani me kushëririn tonë, mjekun Adnan Këlliçi, Frankon, djalin e Sali Nallbanit, ende 15- 16- vjeçarë merrnin pjesë në kampionate lokale të Tiranës. Në vitin 1953, fitues u shpall Luani, por në faqet e "Sportit" nuk i ishte kushtuar as edhe një rresht. Sajova një reportazh të shkurtër, e dorëzova te portieri i redaksisë. Të mërkurën, herët në mëngjes, së bashku me vëllanë u sulëm te Dyqani i Sportit, ku shitej edhe gazeta "Sporti Popullor"... Blemë një kopje të gazetës, e shfletuam duardridhu­r dhe sytë na zunë emrin tim me shkronja të mëdha. Pas disa ditësh, në shtëpi më erdhi një mandat postar prej 150 lekësh.

Dy herë me pseudonime?

Në prag të një takimi miqësor me volejbolli­stë rumunë dërgova një shkrim humoristik "Si do të dalim me rumunët?", një skuadër e njohur në Europë. Ai u botua te "Sporti", por ajo që më habiti, ishte se poshtë shkrimit, në vend të emrit tim, ishte vënë fjala "TIFOZI". Po kështu, më 1 maj të 1958, do të botoja shkrimin tim të parë dhe për më tepër, për një ndeshje ndërkombët­are futbolli, Shqipëri-RD Gjermane! Por jo për "Sportin Popullor", por për gazetën "Zëri i Rinisë". Me një bllok të vogël në xhep, as 20 vjeç, u ula në shkallët e tribunës qendrore, ndoqa takimin që u mbyll 1-1, mirëpo, ashtu siç më kishte ndodhur me volejbolli­n, në vend të emrit tim ishte vendosur… "Korresp. i Zërit…". Radiokroni­st nga Mazreku? Kam komentuar ndeshje futbolli në Radio- Tirana nga viti 1957, kur provat e para në mikrofon i kam bërë që më 1952. Sigurisht, duke ndjekur stilin dhe frazeologj­inë e Mazrekut, që nuk ishte vetëm mjeshtër i mikrofonit, por edhe i fjalës artistike. U përpoqa të krijoja një mënyrë timen të përshkrimi­t të ndeshjeve në mikrofon. Në tetor të vitit 1959 kam bërë komentimin e ndeshjes Dinamo-Besa, që ishte i pari për mua. Koleg me Bellovën, kemi qenë bashkë në transmetim­in e finaleve historike Dinamo-Partizani të qershorit 1961, pastaj Partizani- 17 Nëntori, ditën kur u shemb tribuna, unë dhe Mazreku ishim në mikrofon. Apo golin e Zhegës ndaj Irlandës, kam pasur fatin që, në atë çast, të jem në mikrofon. Pa harruar vdekjen e papritur të Mazrekut në gushtin e '69-ës, etj.

E kujtoni gjithmonë "Rubrikën Sportive"?

Themeluesi i rubrikave sportive, së pari në Radio (1960) dhe pastaj në TVSH më 1970, kam qenë unë. Në prill të vitit 1960 filloi ajo në Radio me Mazrekun komentator. Ndërsa, në TVSH ka qenë marsit i vitit 1970, gjatë një bisede me Drejtorin Klimi Misja, i propozova të niste një rubrikë sportive televizive, me veprimtari­të sportive të fundjavës në Tiranë, si futboll, lojëra me dorë etj. Dhe kështu u vendos. Kujtoj se në studio ndodhej një tryezë e ulët dhe katër frona. Që të dallohej nga rubrikat e tjera, në fund të studios u përdor një dekor ku shkruhej: "Rubrika Sportive" dhe një top futbolli. Megjithëse e varfër, "Rubrika Sportive" u prit mirë.

Nga Olimpiada e Mynihut në Helsinki. Çfarë ju ka mbetur në mendje?

Transmetim­i i Olimpiadës së Mynihut 1972, ka qenë një ndër risitë sportive në TVSH, por edhe për mua. Një angazhim i madh, përgjegjës­i, marrje informacio­ni, komente në studio me specialist­ë. Kujtoj emocionet gjatë parakalimi­t të delegacion­it shqiptar. Pastaj transmetim­i i ndeshjeve të futbollit në Belgjikë të fazës finale "Euro 72". Me rëndësi profesiona­le për mua, ka qenë kur në qershor të '72shit unë me operatorin Enver Muça, një trup televizive, shoqëronte për herë të parë ekipin kombëtar në një ndeshje futbolli në transfertë, në Helsinki, për eliminator­et e Botërorit 1974. Dilja për herë të parë jashtë vendit, u ngjita për herë të parë në avion. Ndeshja u mbyll 1-0 për Finlandën. Pas një jave udhëtim, në kthim bashkë me gazetarin Ahmet Shqarri përgatitëm gjithçka për "Rubrikën Sportive", që atë të hënë ka qenë shumë e veçantë. Për herë të parë, teleshikue­sit panë pamje të një ndeshje të përfaqësue­s sonë në fushë të huaj, që doemos ishte shumë më tepër se një artikull gazete...

Skifter, keni drejtuar edhe një Festival muzike?

Ka qenë Festivali i dytë i Këngës në Radio, në dhjetorin e vitit 1962. Isha në krah të Vera Zheit. Ai u zhvillua te salla e IL të Arteve. Konkurroni­n këngë të bukura si "Djaloshi dhe shiu" e Krajkës, "Ndrisni ju llamba neoni" e Kotes, "Flakë e borë" e Daisë. Ndër këngëtarët ishte Vaçe Zela, por edhe të rinj, si Nikoleta Shoshi, Besnik Taraneshi. Ky i fundit kujtohet për shprehjen "dhe shiu pajk, pajk dhe jo pikë, pikë", që pati entuziazëm të madh në sallë. Por, me urdhër, shumë këngë nuk u dëgjuan më, u hoqën madje, edhe Besnik Taraneshi nuk u pa më në festival.

Jeni fitues i çmimit "Anton Mazreku". Çfarë ndjesie ju jep kjo?

Çuditërish­t më 2001, kur nuk kisha mbushur ende 2 vjet të qëndrimit tim në Boston, njoftohem nga të afërmit e mi se m'u jepka çmimi "Anton Mazreku" në gazetarinë sportive!? Për të qeshur, me të vërtetë për të qeshur, kur ky çmim u ishte dhënë vite më parë edhe gazetarëve shumë pak të njohur. M'u kujtua për një çast silueta e Mazrekut nëse do të ishte prezent kur u dha vlerësimi, çfarë do të mendonte e thoshte....

Çfarë presim në 80- vjetorin tuaj?

Për sportin kam shkruar që më 1954, kur isha 16 vjeç. Vëllim me tregime, pastaj librin "Historia e futbollit" (1980), romanin "Tirana dy orë para dënimit", "Histori dhe tregime për futbollin" etj. I fundit, sapo e kam përfunduar, është "Topi nën pushtetin e tyre", një libër që e kam gati për botim. Në të ka kujtime, histori dhe tregime për futbollin, një pjesë e të cilave është e lidhur me mua si dëshmitar në ngjarjet që zhvillohen.

 ??  ??
 ??  ?? Anton Mazreku dhe Skifter Këlliçi
Anton Mazreku dhe Skifter Këlliçi
 ??  ?? Skifteri me vëllain e tij binjak, Luanin
Skifteri me vëllain e tij binjak, Luanin

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania