Panorama Sport (Albania)

Mateus: Ka shanse reale që Hejnkesi të qëndrojë

"Kurrë më parë një trajner i Bajernit nuk ka qenë kaq i dashur nga të gjithë, e duan edhe rivalët"

-

A do të përfundojë bashkëpuni­mi mes Jup Hejnkesit dhe Bajernit të Mynihut në fund të sezonit? Tani ndërhyn rekordmeni i prezencave me kombëtaren gjermane, Lotar Mateus, për të komentuar situatën. Ish-ylli i Bajernit, sot në rolin e ekspertit të "Sky Sport", mbështet përpjekjet e presidenti­t Uli Hënes, shefit të bordit, Karl-Hainc Rumenige, por edhe lojtarëve të Bajernit, tifozëve, madje edhe rivalëve që e duan, për ta mbajtur edhe një tjetër vit njeriun që u rikthye nga pensioni vetëm për të shpëtuar sezonin e klubit të tij të zemrës pas shkarkimit të Ançelotit. Për Mateusin, nuk ka pasur kurrë një lidhje kaq të ngushtë me një trajner të Bajernit dhe kjo është arsyeja përse klubi do të bëjë gjithçka ka në dorë për ta bindur 72-vjeçarin që t'i udhëheqë edhe për një tjetër sezon. "Unë jam i bindur se ka një shans shumë realist që Jup të qëndrojë edhe për një tjetër vit. KarlHainc Rumenige bëri gjithçka siç duhej në intervistë­n përballë Jërg Vontorrës (moderatori­t) të dielën. Ai foli tërthorazi për çështjen, pa ushtruar kurrfarë presioni. Karl-Hainc Rumenige dhe Uli Hënes e duan, yjet e Bajernit e duan, tifozët e duan, madje edhe kundërshta­rët e duan. Prandaj një dashuri të tillë, siç po e përjeton Hejnkesi, nuk e ka ndier asnjë trajner i Bajernit, kështu që klubi duhet të bëjë gjithçka që ta mbajë", shkruante 56-vjeçari në një koment për "Sky". Hejnkes, nga ana e tij, e ka përsëritur gjatë javëve dhe muajve të fundit se ai do të qëndrojë në stol deri në fund të sezonit. "Nuk do të flas më për këtë temë", tha ai në intervistë­n për "Kicker" ditën e hënë: "Në verë mbush 73 vjeç dhe nuk e di se sa kohë më ka mbetur për të jetuar. Në tetor isha më i fuqishëm sesa tani, kisha më tepër kohë për t'u ushtruar me sport dhe për të bërë shëtitjet me Kandon (qenin). A po e shijoj rikthimin në stol? Si lojtar e shijoj futbollin, kurse si trajner jo, kurrsesi. Është një punë intensive gjatë gjithë ditës. Janë shumë detyra për t'u përmbushur menjëherë. Kam një dhomë hoteli ku kthehem në darkë dhe dëgjoj pak muzikë që kam marrë me vete: rrok, pop, soul, xhaz, klasike; ose lexoj, bëj diçka për të ngrënë dhe reflektoj për ditën që lashë pas. Sigurisht, flas në telefon me gruan dhe bie të fle në orën 22:00 i kushtëzuar nga mosha. Të nesërmen duhet të dal nga dhoma në orën 6:00".

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania