Panorama Sport (Albania)

Korça në ankth, si u përjetua lajmi i UEFA-s

-

Korça e fjetur dhe e traditës është zgjuar zhurmshëm mëngjesin e djeshëm. Dukej ndoshta sikur nuk kishte fjetur fare gjithë natën, duke menduar pasojat dhe dëmin që do të shkaktonte kjo zhurmë për qytetin. Nuk është vetëm Skënderbeu, klubi, lojtarët apo deri te punonjësit e thjeshtë të tij. As tifozët më të zjarrtë dhe ata më të thjeshtë. Është një histori e tërë e këtij qyteti kulture dhe tradite që preket pas kërcënimit me 10 vite pezullim nga UEFA për manipulime ndeshjesh. Dhe Korça, ashtu e strukur, dje është ngritur zhurmshëm! Gjithçka flitej për këtë lajm, për dënimin e mundshëm të Skënderbeu­t. Që pa hapur mirë sytë në qytet sikur oshtinte. Të gjithë flisnin për historinë e dënimit të klubit bardhekuq. Në çdo rrugicë, lokal, tavernë, por edhe shtëpi, vështirë të shmangej kjo temë diskutimi. Në rrugë askush nuk qëndronte i heshtur, edhe pse të tronditur të gjithë pyesnin dhe bisedonin rreth mundësisë së pafajësisë. Ajo ishte dëshira më e madhe e të gjithëve. Shpresa që Skënderbeu të provojë pafajësinë. Informacio­ni kërkohej kudo, në internet, në gazeta, në buletini i lajmeve, madje edhe përmes mesazheve dhe thirrjeve telefonike. Korrespond­entin në Korçë vështirë ta kapje në telefon, pasi numri i tij gjatë pjesës më të madhe të ditës ishte i zënë. Sigurisht nga mesazhet dhe thirrjet e shumta që merrte nga tifozë dhe figura të mëdha të klubit bardhekuq e deri tek intelektua­lët e qytetit. Korça nuk ka gjumë, ka vetëm një shpresë! Skënderbeu të provojë pafajësinë, duhet ta provojë edhe për të mbajtur lart flamurin bardhekuq e jo vetëm. Flamurin shqiptar, pasi e gjithë Shqipëria duhet të ishte me të, përkrah Skënderbeu­t në këtë moment delikat. Po, po, përkrah Skënderbeu­t, ashtu siç ishte në "Elbasan Arena" në atë fitore drithërues­e me Mlada Boleslav dhe jo vetëm, por edhe në ate kualifikim magjik në grupe pas ndeshjes me Dinamon e Zagrebit. Korça nuk e meriton këtë humbje të madhe! Të paktën i gjithë qyteti mendon kështu.

Daja - Trajneri i Skënderbeu­t, Ilir Daja, mendon se klubi korçar është një shembull për t'u ndjekur. "Skënderbeu mbetet një shembull si nga ana teknike ashtu edhe organizati­ve. Nëse UEFA do të marrë një vendim për ta penalizuar, sigurisht që do të jetë një humbje për të gjithë futbollin shqiptar, jo vetëm për klubin tonë. Ne jemi shembulli se si një skuadër mund të jetë rentabël me futboll të pastër", është shprehur dje Daja gjatë një bisede për televizion­in "Top-Channel". Ll.Saro

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania