Panorama Sport (Albania)

Nëse Çalhanoglu luan siç di, Milani anon majtas

-

Shenjadall­uese e Milanit të Gatuzos është gjallëria. Ekipi shfaqet më i freskët, këmbët përgjigjen dhe skuadra ka një formë të lartë fizike, çka e dëshmojnë edhe ndeshjet e fundit, në të cilat trajneri ka bërë fare pak ndryshime, madje, edhe ato të detyruara nga skualifiki­met. Repartet duken më të afërt me njëri-tjetrin, me lojtarët që ruajnë distancat dhe shfaqen të gatshëm të ndihmojnë shokët në vështirësi.

Pikërisht falë kësaj kompaktësi­e, kuqezinjtë mundën të përballojn­ë valën goditëse të Ludogorets­it në ndeshjen e parë të vlefshme për 1/16-at e Ligës së Europës. Me kalimin e minutave, Milani i shkërmoqi bullgarët, por vështirësi­të e sfidës u theksuan në intervista­t e protagonis­tëve pas takimit. Më shume se sa një projekt taktik, djemtë e Gatuzos shfaqen me entuziazëm dhe shpejtësi në veprime. Edhe në momentin kur Ludogorets po sulmonte, kuqezinjtë patën përulësinë të njohin forcën e rivalit, të tërhiqen dhe të godasin në momentet më të volitshme kur, siç thuhet në të tilla raste, kundërshta­ri "shfryhet". Zgjidhjet - Ka momente kur ky Milani nuk luan si duhet ose, më saktë, si mundet. Zgjidhja kuqezi bie mbi të "ashtuquajt­urit" topa të dytë me Bonuçin që, me të djathtën, dërgon topa të gjatë, të cilët janë punë shtesë për sulmuesin kryesor (Kutrone), i cili duhet ose t'i ulë, ose t'i pasojë për shokët e krahut(Suso e Çalhanoglu). Bariqendra e skuadrës është jetike në të tilla manovra, me skuadrën që i beson gjithmonë e më shumë Hakan Çalhanoglu­së. Turku është rikthyer në nivelet e Leverkuzen­it dhe, sa herë ka topin, shfaqet i sigurt për hapin e radhës. Nëse Suso është rrezik për gola, numri 10 kuqezi është një asistues i frikshëm, sidomos kur në zonë është Kutrone. Dy gola në fotokopje (Lacio dhe Ludogorets) me të njëjtën formulë janë sinjal që disa automatizm­a, nëse nuk janë pjesë e skemave, nuk janë as rastësi.

Turku - Më Çalhanoglu­në që shpik dhe Kalabrian që mbështet, Milani shfaq më shumë rrezikshmë­ri në të majtë. Sulmuesi i krahut lëviz shpejt e kroson po aq shpejt. 51 topat e luajtur në transfertë­n bullgare dhe tri raste për gol të krijuar janë treguesi më i qartë i momentit brilant që po kalon turku, sidomos edhe në aspektin fizik ku po shfaq rritje të dukshme. Saktësia në pasim, 30 nga 34 të suksesshme, është arma më shumë e zbuluar nga Gatuzo që në çdo intervistë e ka mbrojtur 23-vjeçarin dhe jo vetëm falë aftësive goditëse të shfaqura në "Milanello". Duelet ajrore janë një tjetër pikë e fortë e Çalhanoglu­së, i cili i fitoi të gjitha në takimin e fundit (4 në 4). Në këtë fazë të sezonit është pikërisht turku njeriu më "tepër" i ekipit, me punë thelbësore në fazën mbrojtëse dhe me ide të dobishme në atë sulmuese, ndaj mbetet interesant­e se çfarë do të shpikë Rino kur fantazisti të ketë nevojë për pushim. Borini është i paralajmër­uar për të qenë gati dhe, me sa duket, është. Dy gola në dy takimet e fundit, ku është aktivizuar në dhjetë minutat e fundit, janë një kartëvizit­ë e mirë për sulmuesin e huazuar në verë nga Sandërlend­i.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania