Panorama Sport (Albania)

Heroi i tripletës tradhton Interin, Milito: Do të bëj tifo për Napolin

-

Diego Milito, në ditën e 110-vjetorit të Interit, ka dhënë një intervistë për "Gazzetta dello Sport". Argjentina­si ka folur me nostalgji për Interin dhe skuadrën e 2010-ës, që fitoi gjithçka brenda dhe jashtë Italisë, duke shprehur edhe qetësinë e tij në rast se Juventusi imiton zikaltrit në të ardhmen.

Interi - "Klubit i bëj urimet më të mira. Këto ngjyra janë brenda meje. Së bashku me shokët munda të shkruaj historinë dhe të kurorëzoja të gjitha ëndrrat e mia si futbollist. Në Milano kam ende shumë miq dhe ndihem krenar që jam pjesë e klubit dhe idhull i tifozërisë". Për Ikardin - "Shpresoj që Mauro ta çojë Interin në Champions. Ai ka bërë shumë për skuadrën dhe me golat e tij mund të ndihmojë arritjen e një objektivi madhor, që për momentin mund të vlejë sa një titull". Ecuria - "Skuadra e nisi mirë sezonin, por është e kotë të ankohemi për situatën. E rëndësishm­e është që të dyfishohen sforcot dhe të kuptohet se rezultatet arrihen vetëm me punë. Personalis­ht kam shumë besim te Spaleti dhe klubi".

Sfidantët - "Sampdoria dhe Milani kanë gjetur një ritëm të mirë, por rivalët e Interit për një vend në Champions janë Roma dhe Lacio. Kupat në mesjavë japin entuziazëm, por heqin energji, ndaj nga kjo pikëpamje Interi është i favorizuar."

Martinez - "Është vetëm 20 vjeç dhe ka një mentalitet të jashtëzako­nshëm që e shndërron në protagonis­t. Ka fizik, di të luajë topin në tokë dhe në ajër pa harruar dhe bagazhin e lartë teknik. Për Sampaolin do të jetë një rebus i vështirë zgjedhja mes kaq shumë sulmuesish për në Botëror".

Rafinja - "Kam besim që do të japë një ndihmesë të madhe, megjithëse në futboll duhet kontributi i të gjithëve. Teknikisht, Rafinja është një lojtar i rrallë".

Derbi - "Nuk di të them se kush përfitoi më shumë nga moszhvilli­mi i derbit. Ajo që mund të them, është se ajo ndeshje nuk ngjason me asnjë tjetër dhe duke parë kalendarin data, në të cilën do të luhet, do të jetë një moment shumë delikat, si për Interin, ashtu edhe për Milanin".

Tripleta - "Juventus ka një shans të mirë. Nëse ia dalin, nuk do e kisha problem, pasi Interi mbetet ekipi i parë italian që ka arritur diçka të tillë".

Napoli - "Humbja me Romën imponon fitoren për Napolin. Ndeshja do të jetë e hapur ndaj çdo rezultati. Unë bëj tifo për Interin, por nuk e fsheh se do të më vinte keq nëse, duke humbur në "San Siro", Napoli do t'i largohej edhe më shumë kreut. Duke i parë sesi luajnë, meritojnë të shpallen kampionë".

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania