Panorama Sport (Albania)

Ndreu e sheh nga tribuna, Topi: Mund të fitonim

-

Trajneri i Kamzës, Ramadan Ndreu, është detyruar që të shohë skuadrën e tij nga tribuna qendrore për të dytën ndeshje radhazi. Në fakt, u mendua se dje Ndreu do të ishte në stol, duke konvertuar me gjobë pjesën e mbetur të dënimit dy javor nga Disiplina. Por, nuk ndodhi kështu, teksa Kamzën e drejtoi zv.trajneri Eldorjan Topi. Në bisedën për "Supersport" pas ndeshjes, Topi u duk i kënaqur nga një pikë në fushën e Vlorës. Sipas tij, penalltia mund të evitohej nga Zguro. "U futën në fushë për të fituar. Ndeshja pati ritëm dhe dëshirë nga të dyja skuadrat. Kundërshta­ri na vuri në vështirësi edhe me 10 vetë, pasi ka lojtarë cilësorë në përbërje. Flamurtari nuk po kalon një moment të mirë dhe ne kishim ardhur këtu për rezultat pozitiv. Ashtu si shkoi ndeshja, jemi të kënaqur edhe me një pikë", ka thënë fillimisht numri dy i pankinës për të folur më pas për vazhdimësi­në.

"Tri pikët po i kërkojmë ndeshje pas ndeshjeje. Kemi bërë lojëra të bukura, por nuk kemi fituar. Këtë në fundjavë luajmë sërish në transfertë me Laçin. Ne shkojmë për rezultat pozitive çdo fushë, brenda dhe jashtë", theksoi Topi, i cili u pyet edhe për penalltinë e minutës së 81-të. "Zguro duhet ta evitonte atë 11-metërsh, pasi situata nuk ishte aq e rrezikshme. Aty gabuam në atë moment". Sa i përket gjestit të Raçiç në fundin e lojës, ai shtoi: "Nuk është strategjia jonë sjellja jo e mirë e lojtarëve në fushë. Ndoshta veprimet e Raçiç mund të mos kenë qenë të drejta, por e përsëris si ekip ne bëjmë luftë sportive dhe jo antisporti­ve. Nuk kemi asnjë strategji tjetër".

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania