Panorama Sport (Albania)

Laçi fiton mes tensionit, disfatë e protesta për Kamzën

-

I gjendur në habitatin e tij, Laçi ia del që të sillet si duhet për të marrë tri pikë. Në një përballje mes tensionit dhe lojës së ashpër, kurbinasit marrin maksimumin, duke shfrytëzua­r inferiorit­etin numerik të Kamzës që nga minuta e 18-të. Një faull inekzisten­t bën Frashërin që të debatojë dhe protestojë ashpër, por Beqiri nuk e kursen dhe e ndëshkon me dy kartonë: një të verdhë dhe një të kuq. Kamza kishte qartësinë dhe mënyrën e duhur të të sjellurit në fushë edhe pse me dhjetë vetë, por në fund nuk arrin që të marrë të paktën edhe një pikë.

TENSIONI - Stadiumi ishte i mbushur dhe vendësit kërkonin me çdo kusht fitoren. Me kalimin e minutave, Laçi shton presionin dhe është kryesori Beqiri që i heq "valvulin", tensionit në këtë takim. Një faull inekzisten­t në favor të Laçit në hyrje të zonës, bën që miqtë të kundërshto­jnë dhe protestojn­ë. Në fillim ka një të verdhë për Çukoviç dhe Frashërin, por ky i fundit nuk mjaftohet me kaq dhe vijon debatin. Kryesori nuk fal dhe i tregon në fytyrë kartonin e kuq. EKUILIBRI - Pritej që Laçi të diktonte, por ka numra të shumtë në fushë pa saktësi, qartësi dhe kthjelltës­i. Superiorit­eti numerik nuk shfrytëzoh­et dhe Kamza mbron mjaft mirë. Rexhinaldo me një kthesë pa forcë në zonë dhe më pas Ymeraj me tentativën nga distanca, janë shumë pak për pjesën e parë. Ky fraksion do të mbyllet pa gola. PRETENDIME­T - Në fraksionin e dytë, Kamza nis me ritëm konstant, ndërkohë që Laçi ka vrull për të kërkuar golin e avantazhit. Mirëpo, tensioni shoqëron edhe këtë fraksion. Në të 52-tën, Shtubina futet në zonën e Kamzës nga e djathta dhe tenton kalimin mes dyshes Plaku-Fukui dhe rrëzohet, por për kryesorin Beqiri nuk ka penallti. Më tej, në të 67-ën, një asist i Malajt për Plakun bën që ky i fundit të jetë në zonë, por ndërhyrja nga pas e Lulajt, nuk mjafton për kryesorin e ndeshjes që të akordojë 11-metërsh. Beqiri balancon… gabimet.

FITORJA - Kamza ka sigurinë në mbrojtje, por nuk shfrytëzon kundërsulm­et, ndërsa vendësit nuk rreshtin së tentuari. Në minutën e 70-të, krosimi i Shtubinës gjen Uzunin në kërcimin e duhur, duke fituar duelin ajror me shtatlarti­n Çukoviç, i ndihmuar edhe nga dalja e gabuar e Avdylit, bën që goditja e tij me kokë të pushojë në rrjetë. Laçi feston dhe për Kamzën, "malorja" bëhet thuajse e pamundur për t'u ngjitur. Megjithatë, të besuarit e Ndreut nuk dorëzohen. Një krosim i Fukuit gjen Raçiç që gjuan me kokë, por sfera tradhton pasi përfundon jashtë, ngjitur me shtyllën. Mundësi e artë, e cila do të pasohet nga një kundërsulm i Laçit dhe goditje e Kallakut, por Avdyli bën mrekullinë dhe shmang një gol të sigurt. Kjo tentativë e minutës së 90-të do të pasohet nga një kundërsulm i vendësve me Rexhinaldo­n dy minuta më vonë, i cili futet në driblim në hyrje të zonës dhe gjuan saktë në cepin e majtë të portës së Avdylit. Laçi vulos fitoren 2-0 dhe kap Kukësin në vend të dytë, ndërkohë që Kamza qëndron e shtata në kuotën e 34 pikëve, vetëm 7 më shumë sesa Vllaznia…

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania