Panorama Sport (Albania)

“Plumbi në gojë” si “Fisheku në Pajë”

- Nga UVIL ZAJMI

Titulli kryesor dje në faqen e parë të "Panorama Sport, "Të fus plumbin", me të cilin presidenti i një klubi futbolli kërcënonte lojtarin kundërshta­r, më ofroi një ndjesi aspak të këndshme. Ishte në kufijtë e një tronditjej­e sportive, por shumë më tepër njerëzore e qytetare. Për një çast m'u kujtua një dramë e famshme e Fadil Krajës vite më parë me titull "Fisheku në Pajë" e luajtur nga aktorët legjendarë të Teatrit "Migjeni" të Shkodrës. Ndoshta nuk ka shumë lidhje, por ai titull më riktheu trishtuesh­ëm te shfaqja, te ngjarjet, që papritur disa dekada më vonë më shfaqen në një ndeshje futbolli, të ngjashme me ato të viteve 97-të. Nuk jam dhe nuk dua të marr rolin e editoriali­stit se ka të tjerë, por duke qenë i pranishëm çdo fundjavë në ndeshje, evenimente të aktivitete­ve kombëtare dhe i pandarë nga futbolli me problemet apo risitë e tij, më shtyu të kem një reagim të tillë. Kur një ndeshje futbolli nuk është më e tillë, por ka si motiv: "Të fus plumbin" shkojmë shumë pranë me "Fishekun në Pajë", kur shfaqja artistike, gara sportive, pra, kthehet në agresive, kërcënuese. Po ndeshemi me një fenomen jonjerëzor, madje në kufijtë "kriminalë", pas të cilit rezultati sportiv nuk ka asnjë vlerë, as për klubin, as për familjarët, as për spektatorë­t dhe as për vetë protagonis­tët. Shpesh më takon të jem i pranishëm në fusha të nxehta, tifozëri që ofendojë arbitrat dhe kundërshta­rët, tension, ndëshkime midis lojtarëve, pastaj në fund gjithçka mbyllet me një "happy end" sportiv, me gjakra të ulura dhe përqafime në largime. Në Vlorë, shprehja e njohur sistematik­e e tifozërisë vlonjate me "motrën" në qendër të saj, tashmë jemi mësuar dhe pak na bën përshtypje. Madje ka raste që e dëgjojmë edhe në stadiume të tjera, ku tentohet edhe të imitohen vlonjatët. Nuk është normale sigurisht, por nisur nga fakti se shprehje të tilla janë normale për qytetin, tifozërinë dhe të folurën e përditshme, e kemi anashkalua­r, pa i dhënë rëndësi dhe vëmendjen. Por kur përballemi me "të fus plumbin", raportet, gjykimi, dhe reagimi qytetar e ai sportiv ndryshon. Aq më shumë kur një fakt i tillë ndodh në Peshkopi apo në "Dibrën Sportive", siç thotë Ismet Bellova në librin e tij. Nuk e ka në traditë ai qytet, ai popull, dikur protagonis­t në krye të elitës në futboll, volejboll dhe alpinizëm një të "fus plumbin". Ashtu si edhe Shkodra e kulturës të godasë, të ofendojë e kërcënojë një trajner. Në raste të tilla morali, mesazhi për të gjithë, veçanërish­t për rininë, mjedisin, klubin aktiviteti­n, shoqërinë është më shumë se negativ. Nuk mjaftojnë situatat e tensionuar­a çdo fundjavë për arbitrat, kundërshta­rët, me një mijë pretendime e ankesa për "padrejtësi", "trukime", ndëshkime nga KD, por vjen edhe kjo e fundit "të fus plumbin"... Është tërësisht jashtë kornizave sportive e njerëzore. Nuk besoj se ai person që është shprehur "se do të fus plumbin" do të ketë pasur edhe armën me vete, ashtu si ai në Athinë pak javë më parë, pasi do të ishte fundi i një fundi të pashembull­t, që nuk do t'i shërbente askujt. Është e paimagjinu­eshme që në mjedise sportive mbërrin një kërcënim ekstrem deri në humbje jete. Këtu pastaj vetëm për argëtim, miqësi dhe mikpritje nuk bëhet më fjalë. Sa mbrapa në kohë na ka kthyer mentalitet­i me frazën "të fus plumbin"! Mendonim se i kishim lënë pas ato fenomene në një ndeshje. Pa dyshim, në një përballje sportive ka gjithçka brenda 90-të minutave në aspektin e garës, por me përjashtim të "plumbit". Nuk e kemi traditë. Ne gjithmonë u jemi referuar vendeve më të zhvilluara qoftë edhe në sport, që një ndeshje në fundjavë në stadium, pra, është shumë më shumë se "të fus plumbin"...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania