Panorama Sport (Albania)

Rikthehet titullar te Kukësi, Idrizi: Ëndërroj një ftesë nga Kosova

Mbrojtësi beson te fitorja e skuadrës së tij ndaj Flamurtari­t

-

Mbrojtësi i djathtë i Kukësit, Bujar Idrizi, po rifiton një vend titullari në formacioni­n e trajnerit Pakult edhe pse ka pasur përballë rivalë mjaft të fortë, si Hallaçi në pjesën e parë të sezonit dhe Zderiç aktualisht. Megjithatë, në një intervistë për "Panorama Sport", ai shprehet se nuk i trembet konkurrenc­ës dhe shpreson që në të ardhmen të ketë një ftesë nga Kombëtarja e Kosovës.

Pas fitores me Vllazninë, duket sikur skuadra është më e çliruar. Ç'mund të na thoni për ecurinë e saj?

Personalis­ht jam shumë i kënaqur me ecurinë e ekipit. Kemi pasur ulje- ngritje të vogla, por në përgjithës­i na ka shkuar shumë mirë në këtë fazë, pasi skuadra bën një lojë të bukur dhe të gjithë çunat kanë treguar karakter. Natyrisht që fitorja me Vllazninë na çliroi disi, jemi më të qetë dhe shikojmë përpara.

Fillimisht keni luajtur në formacion, më pas në stol e sërish në 11-she. Si e ndieni veten?

Jam në formë të mirë, shpresoj që ta ruajë sa më gjatë këtë ecuri pozitive. Jam i bindur që duke njohur veten kam mundësi që të jap shumë dhe të bëj akoma më mirë.

Sa e fortë është gara për një vend titullari te Kukësi?

Konkurrenc­a është shumë e fortë dhe kjo na e shton edhe më shumë impenjimin. Pastaj pak rëndësi ka se kush luan, e rëndësishm­e është që të arrijmë objektivat që drejtuesit e klubit kanë vendosur. Çdokush që është në fushë, jep maksimumin e tij.

Ndeshjen e radhës e luani ndaj Flamurtari­t, një skuadër që kërkon t'ju marrë pikë, ndërsa ju doni me çdo kusht fitoren...

Ne futemi në çdo ndeshje për tri pikët dhe të japim maksimumin që t'i marrim në mënyrë që ta mbajmë vendin e dytë deri në fund të kampionati­t. Flamurtari ka një ekip cilësor, që do të thotë se ndaj tyre nuk do ta kemi fare të lehtë. Stadiumi i Vlorës është fushë e vështirë, por me angazhim dhe punë besoj se do ia dalim, pasi kemi zhvilluar lojëra të mira ndeshjet e fundit.

Gara për vendin e dytë është bërë mjaft e fortë. Kujt i druheni më shumë?

Për vendin e dytë do jetë shumë e vështirë. Të gjitha ekipet që janë në garë për të arritur këtë pozicion janë të forta, ndaj edhe gara sa vjen e bëhet më e vështirë. Luftëtari, Laçi, Flamurtari e Partizani janë rivalët tanë, ndaj edhe duhet të jemi të vëmendshëm.

Si është Kukësi pa Bakajn?

Të gjithë i dimë cilësitë e Bakajt dhe largimi i tij ka lënë shumë hapësira. Por është për të mirën e tij që ka ikur për një aventurë të re. Në skuadër kemi edhe Shkodrën në pozitën e tij, i cili ka arritur formën e tij optimale dhe po paraqitet mirë. Objektivi personal i juaji? Të arrij objektivat me Kukësin, të paraqitem sa më mirë dhe natyrisht ëndërroj një ftesë nga Kombëtarja e Kosovës. S.Sulozeqi

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania