Rikthehet Vllaznia B, “luftë” e hapur për mbijetesën
Burreli humbet një penallti dhe rrezikon shumë
Vllaznia B hedh një hap të rëndësishëm drejt mbijetesës pas fitores së djeshme 1- 0 që arriti në Shkodër ndaj Burrelit. Një takim i luftuar fort nga të dyja ekipet, por në fund janë shkodranët që dalin me tri pikë të vlefshme. Takimi vendoset nga Isufi që shënoi golin e vetëm dhe të fitores në minutën e 17- të, ndërsa për miqtë humbi një penallti Mëllugja. NDESHJA
Shkodranët ishin përforcuar nga ekipi i parë me lojtarë, si Bardulla dhe Gurishta. Ndeshja nis e shpejtë dhe vendësit hidhen në sulm për të gjetur
golin. Dhe rezultati zhbllokohet që në minutën e 17-të. Është mbrojtësi Enes Isufi që shënon dhe i jep avantazhin kuqebluve. Megjithatë, miqtë nuk dorëzohen dhe nisin të organizohen mirë për të barazuar. Dhe në minutën e 31- të, matjanët fitojnë një penallti. Nga pika e
bardhë godet Mëllugja, por gabon, pasi është portieri vendës që pret. Pavarësisht rasteve, pjesa e parë nuk prodhon më gola. E dyta është edhe më e fortë me miqtë që janë agresivë dhe kërkojnë me ngulm golin e barazimit. Në 2- 3 raste është Ajazi dhe Peçi që kanë mundësi për të shënuar, por mungon saktësia në finalizim. Nga ana tjetër, vendësit mbrohen mirë dhe në disa raste dalin me kundërsulme të shpejta. Me kalimin e minutave rritet presioni te miqtë që kërkojnë barazimin, por humbasin qetësinë. Shkodranët e ruajnë avantazhin deri në fund
dhe ia dalin të marrin një trepikësh shumë të rëndësishëm në garën për mbijetesë. Pas ndeshjes së djeshme, Vllaznia B dhe Burreli janë në kuotën e 15 pikëve. Duket se lufta në Grupin A të "Play- Out"- it do të jetë shumë e fortë deri në fund, pasi ekipet kanë shumë pak diferenca
me njëra-tjetrën. Kur kanë mbetur edhe katër takime deri në fund, gjithçka është e hapur. Duhet thënë se Vllaznia B ka edhe mbështetjen e ekipit të parë në këtë luftë, pasi lojtarë të rëndësishëm i bashkohen ekipit të dytë në ndeshje të rëndësishme. Senad Nikshiqi