Duro: Presioni mbi ne, duam vendin e tretë
"Duhet ta mposhtim Skënderbeun për të kapur Europën"
Shpëtim Duro kërkon një fitore për zonën "Euro". Trajneri i Flamurtarit deklaron se me një trepikësh do shpresonin ende për vendin e tretë, ndaj e cilëson këtë 90- minutësh më shumë se vendimtar për realizmin e objektivave. Në konferencën dhënë dje për mediat, tekniku deklaroi se do të jetë një ndeshje që nuk do t'i ngjajë asaj në Kupë. "Janë dy ndeshje shumë të shpejta me Skënderbeun, pasi vetëm pak ditë më parë luajtëm për llogari të gjysmëfinales. Por, duhet pranuar se edhe historitë ndryshojnë, pasi takimet e kampionatit janë komplet tjetër gjë nga ato të Kupës. Patjetër që është më e vështirë, për vetë situatën ku edhe ndodhemi. Ishte pozitiv fakti që reaguam pas asaj gjendjeje të keqe që po kalonim psikologjikisht, por shpresojmë të bëjmë mirë për pjesën e mbetur të kampionatit. Ky moment është i duhuri për vazhdimësi. Duhet me çdo kusht të mbajmë këtë ritëm, pasi nuk ishte e lehtë që të fitonim me Skënderbeun në Korçë. Ishte pozitive, por duhet ta harrojmë atë takim dhe të përqendrohemi te kampionati. Skënderbeu është më i qetë sa i përket Kategorisë Superiore, pasi pothuajse është shpallur kampion dhe luan më lirshëm. Ndërsa ne jemi të detyruar të marrim maksimumin. Nëse duam të arrijmë të paktën vendin e tretë dhe të prekim Europën, duhet të mposhtim korçarët. Nëse do të fitojmë, duke pasur parasysh edhe kalendarin në javët e ardhshme që e kemi të favorshëm, mendoj se do të hidhnim një hap të madh drejt realizimit të objektivave. Me pak fjalë, dua të them që kjo është shumë e rëndësishme", tha fillimisht Duro.
SITUATA - Trajneri është ndalur edhe te situata në ekip,
ndërsa parashikon disa ndryshime shumë të vogla në formacion krahasuar me Kupën e Shqipërisë. "Bushiç do të jetë mungesë për tre-katër javë. Xhufo ka nisur përgatitjen me skuadrën, por edhe në këtë ndeshje nuk do të jetë i gatshëm 100%. Në formacion mund të
kemi ndonjë ndryshim të vogël, pasi lojtarët duhet t'i vendosësh në kohën e duhur dhe në vendin e duhur dhe, mbi të gjitha, duke u bazuar te kundërshtari që kemi përballë. Ndryshimet janë minimale. Kuptohet që ekipi fitues është shumë e rëndësishme të mos
ndryshojë, por ndonjëherë ndryshimet janë të domosdoshme. Po t'u referohemi ndeshjeve të fundit, skuadra ka qenë më e kompletuar. Ndaj Kukësit zhvilluam lojë më të mirë, por nuk morëm gjë. E kundërta ndodhi në Korçë, ku nuk është se shkëlqyem, megjithatë fituam. Dhe patjetër që nuk mund të bënim më shumë sepse gjendja psikologjike ishte shumë e rëndë dhe sidomos përballë një skuadre si Skënderbeu. Por, e rëndësishme është që triumfuam", theksoi numri një i kuqezinjve.
TIFOZËT - Duro ndalet edhe te tifozët. Sipas tij, ata janë shumë të rëndësishëm për skuadrën. "Ndaj Skënderbeut në Kupë, djemtë kishin një mesazh të plotë për tifozët e 'Flotës Kuqezi'. Dhe dashur pa dashur, kjo ndikoi edhe tek ekipi. Tifozët janë shumë të rëndësishëm për skuadrën dhe ata kanë qenë gjithmonë pranë nesh. Më vjen keq që i kemi zhgënjyer edhe në ndeshjen e fundit që kemi luajtur në Vlorë, por futbolli i tillë është. Duhet t'i pranojmë të gjitha situatat, pozitive apo negative qofshin. Tifozët janë pjesë shumë e rëndësishme dhe kemi nevojë për ta më shuam se kurrë", përfundoi trajneri i Flamurtarit.