Panorama Sport (Albania)

Miqësorja, Shqipëria bën "paqe" me Kosovën

-

Është mbyllur në barazim 1 me 1 sfida e 15-vjeçarëve të Shqipërisë dhe Kosovës e luajtur në "Elbasan Arena". Fillimisht, me nisjen e pjesës së dytë, Sulaj me penallti shënoi për kuqezinjtë dhe më pas Tahiri për Kosovën barazoi shifrat. Në një përballje që zgjati 70 minuta, u luajt një lojë e hapur, me një dominim të miqve në fazën ofensive.

NDESHJA - Miqësorja do të niste e qetë për të dyja skuadrat, të cilat mundohen që të qarkullojn­ë topin dhe të mos shtyjnë shumë përpara. Gjithsesi, me kalimin e minutave nisin edhe "shkëndijat" e para drejt portave respektive, por pa rezultat. Rasti më i pastër i fraksionit të parë të lojës do t'i takonte skuadrës mike të Kosovës, me Mahmutin që në minutën e 27-të del i vetëm me portierin Marku, godet por devijon ky i fundit dhe me topin që i vjen sërish në këmbë nuk e shfrytëzon si duhet, sepse sfera largohet në vijën fatale nga një mbrojtës kuq e zi. Fraksioni i dytë i lojës nis me një 11-metërsh në favor të Shqipërisë, teksa në minutën e 45-të nga pika e bardhë e penalltisë nuk gabon Sulaj dhe kalon në avantazh kuq e zinjtë. Pas golit janë miqtë nga Kosova që vihen menjëherë në kërkim të barazimit, ia dalin me anë të Jasharit, por më parë u sinjalizua për pozicion jashtë loje. Ndërkohë, teknikët respektivë bëjnë shumë ndërrime dhe përpiqen që të freskojnë disi skuadrën dhe t'u japin mundësi lojtarëve të tjerë. Goli ishte çështje minutash për miqtë, teksa në të 60-ën Tahiri gjendet i lirë në zonë dhe godet bukur në zonë duke barazuar gjithçka. Edhe në minutat e mbetura nuk mungojnë rastet, kryesisht për Kosovën, por Rexhepi i vetëm me Bekteshin nuk ia del ta kalojë topin mbi të. Mbyllet kështu 1 me 1 sfida miqësore midis Shqipërisë dhe Kosovës për 15-vjeçarë. Vladimir Mema

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania