Panorama Sport (Albania)

Fidel Ylli: Më vinte zor nga vetja, pija grushte me ilaçe

Ish-mundësi humbi 30 kilogramë dhe tregon vuajtjet e mëdha

-

Ai është një personazh që ka spikatur në Shqipëri në disa sfera: në sport mban titullin "Mjeshtër i Sportit", në biznes, por edhe në politikë. Fidel Ylli fillimet e tij i ka pasur në sportin e mundjes, më pas do të ndodhte kalimi në biznes, një trampolinë kjo, që pas e dërgoi edhe në politikë, ku sot ai është deputet i Partisë Socialiste për qarkun e Durrësit. 55-vjeçari ishte i ftuari i radhës në studion e "Rudina", në televizion­in "Klan", ku ka folur jo vetëm për profesioni­n dhe arritjet e tij ndër vite, por edhe për jetën private. Në daljet e fundit të tij është vënë re një rënie drastike nga pesha dhe vetë deputeti Fidel Ylli sqaroi në detaje se përse ndërmori këtë hap, ose siç e quajti vetë ai, një sfidë aspak të lehtë. Ai tregoi se para 10 muajsh peshonte jo pak por 110 kilogramë, por sot është 30 kilogramë më pak dhe tashmë ndihet më i lumtur dhe komod me veten e tij. "Në muajin korrik bëj një vit që kam nisur aktiviteti­n fizik. Kam 10 muaj që merrem me sport. Pasi mbarova fushatën e qershorit, bëra një takim në Durrës me të gjithë njerëzit e sportit. Unë kam shumë shokë atje dhe i mblodha një ditë bashkë me kryetarin e bashkisë, jashtë stadiumit dhe m'u neverit vetja. Ishte qershor, temperatur­a ishte 35 gradë dhe unë isha veshur me një xhup... Mbuloja barkun dhe më vinte zor nga vetja, ndërsa me mendjen time thashë: 'Unë t'iu flas këtyre për cilësinë e jetës? Unë jam bërë vetë ku thërret qameti. Kam qenë maksimumi 85 kilogramë'. E pashë veten në një gjendje që s'di të them dhe thashë: 'Unë të gjitha i kam, familjen e kam, punët i kam shumë mirë... Unë nuk po gëzoj asgjë...' Unë nuk merrja dot frymë dhe kundërshta­r më të madh në jetë kam veten time. Mora një vendim drastik për të ndryshuar cilësinë e jetës sime. Jo vetëm sporti, por edhe ushqimi e regjimi janë baza. Unë në 10 e gjysmë të mbrëmjes jam në gjumë dhe në gjashtë të mëngjesit dal për aktivitet fizik nga liqeni i Tiranës. Në darkë ha shumë pak, ndonjë frut, shikoj ndonjë emision sportiv dhe bie të fle. Ky regjim filloi edhe me nxitjen e bashkëshor­tes sime. Unë dikur merrja një grushte ilaçe, sot nuk përdor asgjë", ishin disa nga pasazhet e Fidel Ylli në televizion­in "Klan".

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania