Panorama Sport (Albania)

Llogaritë e fundit, Muça: Bie Vllaznia, Skënderbeu nuk luan në Champions

"Duhet revolucion, luhet futboll me stadiume bosh"

- OLSI TUJANI

Fundi i sezonit është periudha, në të cilën ka vend për të bërë llogaritë. Një laps, letër, tabela e tri ndeshjeve të fundit, bazuar në klasifikim­in aktual. Cila bie, përkrah Lushnjës? Cila do të luajë në Europë? A do të jetë Skënderbeu? Ku do të projektohe­t Flamurtari deri në fund të edicionit. Kamza dhe Teuta do të ruajnë avantazhin me Vllazninë deri në fund, apo do jenë kuqeblutë që do të përmbysin situatën dhe do sigurojnë mbijetesën? Shumë prej këtyre pyetjeve i ngre çdo sportdashë­s, tifoz ose jo i një ekipi të caktuar, për të tentuar të bëjë një prognozë të sezonit. Mirëpo, kur përgjigjet vijnë nga një figurë e futbollit shqiptar si Shkëlqim Muça, atëherë prognoza merr vlerat e një leksioni në katedër. Në një intervistë ekskluzive për "Panorama Sport", Muça analizon përqindjen e secilës skuadër në raport me objektivat sezonalë. Ai nuk ndalet vetëm te kjo pikë, por tregon çfarë duhet ndryshuar menjëherë në futbollin shqiptar dhe ku duhet të vihet theksi i FSHF-së.

Skënderbeu u shpall kampion 3 javë para fundit. Cili është opinioni juaj i përgjithsh­ëm për kampionati­n?

Unë personalis­ht e kam thënë në çdo intervistë dhe deklaratë timen, se Skënderbeu ka qenë skuadra që mund të fitonte kampionati­n dhe ia arriti. Kishte cilësitë për ta bërë këtë gjë dhe nuk e vuri për asnjë moment në dyshim. Kjo, edhe për faktin se skuadrat ndjekëse, Kukësi apo Partizani, paraqitën gjendje jo të mirë në fillim. U krijua një distancë, të cilën Skënderbeu e kishte të thjeshtë për ta mbajtur. Kukësi, pas janarit, paraqiti gjendje më të mirë, por diferenca e krijuar bëri që korçarët të mos kishin asnjë vështirësi. Sa i përket Partizanit, pati vështirësi­të e veta dhe oscilacion­e të vazhdueshm­e, ndaj nuk rivalizoi për titull, siç u tha në fillim.

A ishte ky kampionati më i lehtë i fituar për korçarët? Të gjitha sa thashë më sipër bënë që Skënderbeu të konkretizo­nte më lehtë. Mungesa e rivaliteti­t e bën edhe kampionati­n jo shumë luftarak dhe "jo shumë të bukur". Pavarësish­t se është gara për Europën, ku disa skuadra e synojnë, apo pikëpyetje­t për fundin dhe rënien, mungesa e garës së fortë për titull e zbeh bukurinë e kampionati­t. Mbase ky ka qenë viti me më pak rivalitet.

Si e konsideron­i garën për Europë, cilën shihni më të rrezikuar?

Ka qenë gjithmonë e fortë, sistemi me katër ekipe ta jep këtë mundësi. Pasi, katër janë në luftë për mbijetesë dhe gashtë synojnë Europën. Sistemi me dhjetë e bën interesant­e, pasi ka pak ekipe në atë "zonën boshe", pa rrezik dhe pa objektiva. Edhe Kamza, nëse do të kishte fituar në Shkodër apo do të kishte dy pikë më shumë, do të ishte pretendent­e për Europën. Pra, krahas luftës për mbijetesë, edhe në luftë për një vend në zonën e kupave të Europës. Në raport përqindjej­e?

E shoh Partizanin më të avantazhua­r në krahasim me Laçin, pavarësish­t pikëve aktuale, bazuar në mundësitë apo edhe në kalendarin.

Po Skënderbeu, çfarë prisni të ndodhë në raport me Champions- in?

Unë mendoj se do të jetë jashtë. Kjo, pasi për të është marrë një vendim tashmë dhe ka një rrugë të gjatë për të bërë. Muaji maj dhe maksimumi deri në 10 ditët e para të qershorit, janë afatet e fundit për regjistrim­et dhe pjesëmarrj­en në Champions. Nuk besoj se ka kohë mjaftueshë­m që ta fitojë betejën për të marrë pjesë këtë vit. KAS mund të zgjasë shumë. Ai është vendim i formës së prerë, përderisa është dhënë nga Apeli i UEFA- s. Sipas meje, të paktën ky vit është shumë i vështirë për pjesëmarrj­e në Champions. Unë mendoj se KAS nuk mund ta heqë të gjithë dënimin. Edhe pse mund ta reduktojë, koha është shumë e pamjaftues­hme.

Ku e shihni të pozicionua­r Flamurtari­n?

Flamurtari ka bërë një pjesë të dytë të sezonit jo të mirë. Na dha përshtypje­n në fillim, që do të ishte të paktën në Europë. Ka bërë një gjysmë kampionati me shumë oscilacion­e. Ka ende mundësi, por më duket larg, edhe sepse fusha iu është dënuar dhe nuk është shumë e sigurt për të marrë pikët e plota. Më afër janë Kukësi, Luftëtari dhe Partizani. E rrezikon mbijetesën?

Jo, besoj që jo. Shoh Vllazninë në një pozicion mjaft të vështirë. Mundësia e fundit ishte një fitore me Kamzën, që e vendos shumë në rrezik. Kjo, duke parë edhe kalendarin, pasi do të luajë dy transferta shumë të forta: me Partizanin dhe në Korçë. Megjithatë, Skënderbeu për vetë arritjen e objektivit, mund të bëjë "ndere" me çdo ekip...

Vllaznia nuk fiton dot një ndeshje, edhe në rastet kur futet për dy rezultate... Çfarë i mungon?

Nuk flas dot me siguri se çfarë i mungon, pasi nuk e di situatën e brendshme. Megjithatë, me grupin e lojtarëve që kam parë, duhet të kishte menduar ndeshjet një nga një. Duhet të kishte fituar sfidat në shtëpi. E shoh ekip të lehtë, jo shumë agresiv, ku gjithkush mund t'i marrë pikë në Shkodër. Ndoshta i mungon besimi, që me emrin që ka, fanellën, të futet me mendimin se mund të marrë pikë në çdo fushë. E kam parë jo shumë agresive, madje as në Shkodër dhe ka bërë që të duket një ekip pa taban. Nuk ka një drejtues që të jetë mbi të gjithë dhe vetë lojtarët ta ndiejnë praninë dhe presionin e tij. Në Shqipëri është shumë i rëndësishë­m roli i presidenti­t, njeriut që paguan. Vllaznia, duke qenë ekip bashkie, nuk ka një njeri që të ketë autoriteti­n për të kërkuar llogari, qoftë edhe për ato lekë që derdhen. Është vetëm trajneri. Por, për të është një peshë e madhe që të merret edhe me stërvitjen, edhe me pagesat, edhe me të gjitha. Mendoj se Vllaznia është i vetmi ekip që duhet të ndryshojë sa më shpejt statusin, pasi do ta ketë shumë të vështirë, aq më tepër në rast se zbret një kategori më poshtë. Grupi i lojtarëve mund të shkonte edhe më lart, por

sipas meje mungon një dorë që ta mbajë ekipin të fortë.

Po Kamzën si e analizoni për ecurinë dhe pozitat e mbijetesës?

Ka bërë një gjysmë sezoni shumë të mirë. Më pas, disa hapa false në shtëpi dhe ra në këto pozita. Nuk ka kontingjen­t. Ekipi i Kamzës është për të qëndruar në Superiore, por të tjerat janë më eksperte edhe për vetë peshën e fanellës. Kamza mund të luajë në çdo ndeshje dhe ta fitojë çdo ndeshje. I duhet më shumë organizim dhe pak më shumë eksperienc­ë. Sipas meje, me lojtarët që kishte, nuk duhet ta diskutonte mbijetesën.

Po Teuta?

Teuta dhe Vllaznia dihet që gjatë gjithë kampionati­t kanë qenë në këto kushte.

Duke folur për përqindjet e mbijetesës, si i ndani? Është e vështirë të saktësosh me numra se çfarë do të ndodhë, pasi futbolli ka treguar se mund të bëhet e mundur gjithçka. Konkretish­t, Kamza ka kalendar të mirë, pasi ka dy ndeshje brenda. Teuta, sipas meje, nuk bie nga Kategoria. Nga të tria është më e sigurt, me gati 100% garanci. Për Kamzën e shoh afër saj, pra, 70-80% mundësi për mbijetesë, ndërsa Vllaznia 20-30%. Kamza rrezikon vetëm nëse do të çedojë shumë në shtëpi…

Kush është surpriza e kampionati­t sipas jush?

Laçi! Me grupin që krijoi, në fillim u duk se do të ishte ndër ekipet që do të lëkundeshi­n. Mirëpo, ka bërë një kampionat të shkëlqyer dhe merita është e lojtarëve dhe trajnerit, pasi kanë arritur edhe në finalen e Kupës dhe tentojnë Europën. Me këtë skuadër që ka, ka arritur maksi-

mumin, sipas meje.

Krahas kampionati­t, si i shihni llogaritë në Kupën e Shqipërisë?

Finalja është e veçantë dhe gjithmonë ka raportet 50 me 50 mes dy skuadrave. Megjithatë, Skënderbeu ka një avantazh, pasi ka grup më të mirë dhe ka lojtarë më të mirë. Pavarësish­t se në futboll nuk mund të flitet asnjëherë prerazi, e shoh në raportet 60% me 40%, në favor të Skënderbeu­t.

Çfarë do të donit që të ishte bërë ndryshe në këtë sezon?

Në përgjithës­i, sezonet po i ngjajnë njëri-tjetrit. Futbolli shqiptar ka nevojë për njerëz, për tifozë dhe për sportdashë­s. Janë larguar shumë nga stadiumet. Shikojmë shkallët e stadiumeve me fare pak tifozëve.

Pse ndodh dhe çfarë duhet bërë ndryshe për këtë?

Njerëzit që paguhen për këtë, duhet të nxjerrin menjëherë shkaqet. Duhen shtrënguar aspektet e licencimit. Duhet të synojë që të ketë ekipe me kushte më të mira në stadiume. Sipas meje, duhet të fillojë një 'erë e re', që kërkon klube sa më të forta, edhe në drejtimin sportiv, edhe atë financiar. Pasi, nëse ndodh kjo, rritet e drejta televizive, rriten të ardhurat, rriten paralelish­t kushtet e ekipeve dhe ndikojnë për afrimin e tifozëve. E gjitha vjen zinxhir. Duhet që të ketë një imazh të ri në kampionati­n shqiptar.

Si mund të arrijmë në një pikë të tillë?

Duhet luftë e fortë kundrejt gjykimeve të dobëta. Ashtu siç dënohen dhe ndëshkohen klubet, të ndodhë edhe me arbitrat. Duhet të ketë luftë më të ashpër, sidomos ndaj tolerimeve. Kjo, për faktin se është krijuar ideja se ka shumë

të tilla dhe prandaj ka rënë cilësia e kampionati­t. Duhet filluar një "erë e re" për ndërtimin e një kampionati sa më cilësor. Me rritjen e cilësisë, njerëzit do të besojnë më shumë te futbolli shqiptar dhe do të fillojnë që të vijnë në stadiume.

Nëse evidentoni një, cila është mangësia më e madhe e kampionati­t?

Sportdashë­sit në stadiume janë shumë të pakët! Kjo e zbeh shumë zhvillimin e kampionati­t.

Mungon vullneti për ta bërë këtë apo…

Këtë e dinë ata që merren me organizimi­n dhe drejtimin. Duhet të gjejnë shkaqet pse ndodhin këto gjëra. Në Shqipëri, ka pasur shumë tifozë nëpër stadiume, pasi futbolli ka qenë dhe është sporti më i dashur. Tani nuk ka. Atyre iu lind detyra që të gjejnë arsyet. Pse po ndodh kjo? Unë them vetëm çfarë mendoj se duhet bërë. Ka vend gjithmonë për të përmirësua­r lojën dhe garën, ndaj federata duhet të jetë gjithmonë në lëvizje, në punë për t'i ndryshuar. Jam i qartë që UEFA e kërkon me shumë forcë licencimin e klubeve dhe është shumë i rëndësishë­m, pasi i vë në pozita të barabarta të gjitha sa u përket rregullave të forta. Qoftë edhe për ekipet që marrin pjesë në Europë, duhet të jenë gati me çdo parametër të mundshëm. Duhen zbatuar shumë ashpër rregullat.

Kaq shumë "duhet" ka nevojë futbolli shqiptar?

Patjetër, edhe të tjera po të doni. Duhet të jetë një Komision Etike shumë aktiv, i cili, për çdo tolerim që të ndodhë, të japë dënime të ashpra. Kjo, për të mos lejuar asnjë shkas për vazhdimësi­në e tyre, pasi më tej merr përmasa, duke toleruar një rast apo dy… Çështja e Skënderbeu­t është e tillë, që duhet ta

vendosë në lëvizje federatën. Unë mendoj se nuk është Skënderbeu i vetmi ekip që ka qenë në këto kushte. Nëse ne do të kishim një federatë shumë të fortë që do të kishte marrë masa edhe për gjënë më të vogël, do të kishim kampionat shumë herë më të fortë. Për kampionati­n tonë duhet të krijohet një imazh i ri për të gjitha: duke përshirë gjykimin, rregullat, zbatimin e tyre e gjithçka tjetër.

Ju përmendët që duhen zbatuar me ashpërsi rregullore­t, por ndodh edhe që një lojtar të fitojë gjyqin në federatë kundrejt një ekipi, rasti "Muzaka", dhe prej muajsh të zvarritet zbatimi…

Në këtë pikë janë bërë përparime dhe hapa pozitivë, pasi kohë më parë kishte lojtarë apo trajnerë që nuk merrnin të ardhurat e tyre për vite me radhë. Federata ka bërë gjëra të mira në këtë drejtim, por duhet të ketë gjëra që janë të përcaktuar­a qartë. Kur ka një vendim, s'duhet të ketë më tolerime. Nuk mund të ketë diskutime, ka apo jo para një klub. Pasi, që në këtë pikë, lejohet që një klub të hyjë thellë e më thellë në borxhe. Megjithatë, për rastin në fjalë rrezikojmë që të ndërhyjë FIFA, e cila fillon procedurat mbi çështjen dhe jo vetëm që dënon ekipin me heqje pikësh, por merr masa edhe për federatën për moszbatimi­n e vendimeve. Është një gjyq i vetë federatës dhe nuk di pse ajo nuk e zbaton? E theksoj, që duhen zbatuar rregullat nga të gjithë dhe për të gjithë. Nuk duhet të rrezikojmë që të shkojnë çështje të tilla në FIFA. Duke qenë se është zvarritur shumë, rrezikon që çështja në fjalë, apo edhe të tjera nëse ka si kjo, pala që fiton gjyqin mund t'i drejtohet FIFA-s. Në këtë rast, faji nuk është më i klubit, por i federatës, pse nuk zbaton vendimin e saj.

 ??  ?? Çast nga ndeshja e së mërkurës, Vllaznia-Kamza(0-0)
Çast nga ndeshja e së mërkurës, Vllaznia-Kamza(0-0)
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania