Panorama Sport (Albania)

Surpriza e vitit, Egnatia do një mbyllje me nder

Rrogozhina­sit luajnë në Krujë ndeshjen e fundit të sezonit, mungon kapiteni Vangjel Mile

-

Rrogozhina­sit janë stërvitur normalisht gjatë të gjithë javës nën drejtimin e stafit për sfidën e sotme me Kastriotin në transfertë. Me përjashtim të kapitenit Vangjel Mile, që po kryen fazën e riaftësimi­t pas dëmtimit në krah, të gjithë lojtarët e tjerë janë gati. Që prej së martës grupi i lojtarëve ka nisur seancat në kuadër të javës së fundit për këtë sezon në stadiumin "Hasan Zyla". Dy ditë më parë u zhvillua edhe ndeshja e kontrollit brenda grupit nga ku triumfuan me rezultat dhe lojë titullarët. Pa harruar dhe të gatshmit që japin garanci të plotë në çdo kohë nëse u besohet një fanellë dhe atyre për të koleksionu­ar disa minuta. Në kampin rrogozhina­s mendojnë se nuk do dalin duarbosh nga ajo përballje, pasi dhe krutanët nuk do kenë impenjim të madh pas realizimit të ngjitjes. Për "Panorama Sport", mesfushori Okeljan Baze u shpreh: "Pas fitores me Dinamon në shtëpi na duhet të luajmë dhe aktin e fundit për këtë kampionat me Kastriotin. Një kundërshta­r që me meritë të plotë ia arriti qëllimit që kishte për të realizuar si klub. Më vjen mirë që ndaj bluve kryeqyteta­s siguruam një fitore me vlera përpara tifozëve tanë, duke ua bërë "dhuratë" për mbështetje­n që na kanë dhënë në çdo periudhë. Tashmë, ajo sfidë është arkivuar dhe vëmendja jonë ka kaluar te Kastrioti ku do të luajmë në Krujë nga ku ne presim të japim më të mirën. Jemi stërvitur gjatë të gjithë javës dhe kemi marrë ngarkesat e duhura. Do kisha shumë dëshirë që të shënoja një gol me vlera, nëse do të më krijohej mundësia", përfundoi prononcimi­n e tij Baze. Rrogozhina­sit u rikthyen në Kategorinë e Parë pas dhjetë vitesh dhe bënë një kampionat shumë të mirë. Egnatia ishte e vetmja skuadër që rivalizoi deri në njëfarë pike Kastriotin gjatë dy fazave të para. Por, në të tretën, rrogozhina­sit çaluan dhe humbën terren. Ndeshja do të luhet në orën 17:00 në stadiumin e Krujës. Aldo Buzi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania