Nejmar: Kam frikë, Botërori ëndrra ime
"Askush nuk është më i trembur se unë, çasti më i vështirë"
Katër vite pas dëmtim it të tmerrshëm në sfidën çerekfinale të Botërorit në shtëpi, kundër Kolumbisë (ajo frakturë e vertebrës së tretë të shtyllës kurrizore, e cila i rrezikoi edhe karrierën), Nejmar rikthehet të dridhet.
RRËFIMI - "Asnjë nuk është kaq i trembur sa unë". Nejmar po i drejtohet numërimit mbrapsht të Botërorit të Rusisë, duke pranuar se ka nisur të ndiejë presionin. "E di që njerëzit janë pak nervozë dhe presin rikthimin tim, por askush më shumë se unë. Askush mezi po pret të rikthehet dhe asnjë nuk ka më frikë se unë", pranon sulmuesi i "Seleçaos" gjatë një interviste për televizionin brazilian "Globo TV". I dëmtuar prej muajit shkurt, ylli 26-vjeçar i PSG-së u lëndua në këmbën e djathtë (kockën e pestë të meta- tarsalit) më 25 shkurt në një ndeshje të kampionatit kundër Marsejës. Ai u operua në fillim të muajit mars në Brazil dhe aktualisht është duke iu nënshtruar programit të riaftësimit për të qenë në formën më të mirë për Kupën e Botës.
PERIPECITË - "Është një moment shumë i vështirë. Mendoj se është një prej më të vështirëve që kam kaluar ndonjëherë sepse jam shumë pranë ëndrrës sime të Botërorit", shpjegon futbollisti më i shtrenjtë në historinë e futbollit. Ai ka nisur të stërvitet me PSGnë prej së dielës dhe mund të rikthehet në fushë më 3 qershor, me rastin e miqësores së kombëtares braziliane kundër Kroacisë.
NUK DORËZOHET - "Falë Zotit, kam një tjetër shans për t'u bërë kampion bote me kombëtaren e vendit tim. Është një ëndërr që e kam pasur që i vogël dhe objektivi im kryesor. Shpresoj që ky të jetë Botërori im". Por, cila është gjendja fizike e vërtetë e Nejmarit? Futbollisti nuk preferoi që të jepte detaje: "Fatmirësisht, gjatë pushimit tim në Brazil për t'u riaftësuar, rrethohesha nga njerëz të gëzuar që më bënin të ndihesha mirë, duke më larguar kujtimet e këqija. Por pavarësisht kësaj, në kokën time vërshojnë mijëra gjëra dhe jam i trembur".
FANELLA - Nejmar gëzoi të martën edhe fondacionin e bamirësisë së PSG-së, që mblodhi 1.6 milionë euro falë edhe fanellës së tij të debutimit me klubit, që u shit në vlerën e 240 mijë eurove.