Panorama Sport (Albania)

Ze Maria: S'e kuptoj pse nuk festuam

Trajneri i befasuar: Vjet qanë se ranë nga kategoria, por nuk gëzuan për rikthimin "Maksimumi këtu nuk mjafton kurrë, është si të drejtosh Juven, Realin, Barçën apo Bajernin"

-

Tirana refuzoi festën e titullit të Kategorisë së Parë, por ky fakt nuk është pritur aspak mirë prej Hoze Marselo Ferreirës. Trajneri ka mbetur i habitur nga reagimi i lojtarëve të tij që, edhe pse qanë pas rënies, nuk iu gëzuan ngjitjes. Një fakt të tillë ai e ka pranuar për televizion­in "Klan", në një intervistë të dhënë dje paradite. Ze Maria nuk ngurroi që të fliste për të ardhmen e tij, por edhe të ekipit, ndërsa qartësoi se te bardheblut­ë nuk mjafton as maksimumi. Braziliani evidenton se të drejtosh Tiranën, është e njëjta gjë si të jesh në krye të Juventusit apo Realit.

E nisët si favorit sezonin dhe jeni zyrtarisht kampionë. Si u ndiet pas kësaj eksperienc­e shqiptare?

Ishim favoritë, pasi Tirana është një ekip i madh dhe më i titulluari në Superiore. Ishte normale që ta nisnim si të tillë sezonin dhe ndoshta prej kësaj patëm edhe vështirësi. Kushdo që luante ndaj nesh, donte që të tregonte vlera, qoftë edhe përballë trajnerit kundërshta­r. Na hapën punë, edhe pse humbëm vetëm një ndeshje dhe barazuam 4. Jam i kënaqur për formën se si u sollën lojtarët, patën profesiona­lizëm dhe dëshirë për t'u kthyer në elitë. E shihja edhe trishtimin te lojtarët që ishin edhe vitin e kaluar, duke e filluar nga Karabeci, Lika apo ndonjë tjetër. Ndiheshin keq se përse nuk bënin pjesë në Superiore. Nuk është bukur që me

fanellën e Tiranës të luash në këtë kategori. Megjithatë, patën dëshirën për t'u kthyer. Dhanë maksimumin dhe ja ku jemi, falë kësaj sakrifice të madhe, qoftë edhe duke u përshtatur me një trajner të ri dhe të huaj.

Morët një trofe, por nuk pati festë kampionësh siç ndodh rëndom te Tirana. Po ju, a ndiheni krenar për këtë kupë?

Unë nuk jam dakord më këtë dhe me vjen keq për tifozët e mi dhe për kapitenin tim. Unë fola me ta dje para ndeshjes dhe

qanë.

Qanë para ndeshjes?

Jo, jo. I referohem fundit të vitit të kaluar, kur ranë. Por nuk e kuptoj pse nuk mund të buzëqeshin dhe të lumturohen për një titull të tillë dhe sidomos kur pjesa më e madhe e këtij grupi e kishte titullin e parë në karrierë. Ishte një rikthim në Superiore, ndaj ky është një motiv për të festuar dhe gëzuar. Hendeku që pati këtë vit klubi-ekipi-tifozët bëri të veten, pasi kemi luajtur shumë pak ndeshje me tifozë

në krahë dhe sidomos në transfertë, pasi në shtëpi thuajse kurrë. Edhe djemtë e "Fanatics"-ave e dinë që më erdhi keq për këtë gjë. Ata duhet të bënin të kundërtën dhe të mbështesin skuadrën, duke treguar se kjo kategori nuk i përket Tiranës. Ndaj, ky titull duhet të festohej prej të gjithëve, edhe prej klubit tim që nuk e bëri. Kjo gjë më krijoi mëdyshje, pasi nuk është e drejtë. Është moment gëzimi për të gjithë ambientin e Tiranës, pasi ne u kthyem. Kam parë edhe klube të mëdha që kanë rënë nga kategoria, madje kanë qëndruar për vite më radhë poshtë. Por ne u ngjitëm direkt dhe kjo duhet të na shërbejë si shembull. Më erdhi keq se si shkuan gjërat.

Keni filluar të mendoni për të ardhmen?

Ajo që ndodhi, ndodhi dhe ajo që mbaroi, mbaroi. Asgjë nuk kthehet pas. Tani do fillojmë që të mendojmë për të ardhmen, duke nisur që nga projektimi i skuadrës dhe rinovimi i kontratave. Do ulem me presidenti­n në ditët në vazhdim për të përcaktuar pak nga gjithçka. Do mundohemi që të arrijmë një akord për vitet e ardhshme dhe të vazhdojmë bashkëpuni­min.

Folët për të ardhmen tuaj, por për skuadrën çfarë prisni?

Presidenti e di se çfarë do Tirana. Duhen lojtarë që mund të luajnë në Superiore dhe të japin maksimumin e tyre. Maksimumi për këtë ambient nuk mjafton kurrë. Ata që do pranojnë të vijnë këtu, duhet të vijnë për të fituar gjithçka: titull, kupë, Superiore dhe Champions. Për këtë lufton ky ekip dhe këto ngjyra. Nuk mjaftojnë fjalën përgjysmë dhe vendi i dytë e i tretë nuk ekzistojnë. Është si të stërvitësh Juventusin në Itali, Barcelonën e Realin në Spanjë apo Bejernin në Gjermani. Është e njëjta gjë. Duhet ta nisin me të njëjtin shpirt, pra ta nisin në krye dhe të tjerat ta ndjekin. Sigurisht që duhen respektuar rivalët, por kur zbret në fushë, duhet vetëm fitore.

Si e prisni Superioren, mendoni se do të ketë presion?

Kur drejton një skuadër të madhe, presioni ekziston gjithnjë.

Ndieni domosdoshm­ëri për të përforcuar ekipin?

Patjetër që po. Një ekip që lufton për tre objektiva, duhet të ketë minimalish­t dy lojtarë të fortë për çdo rol. Këtë e di klubi dhe e kemi diskutuar prej kohësh. Duhet një ekip me konkurrenc­ë dhe ku asnjë prej lojtarëve të mos ndihet i qetë për vendin. Këtë e dinë djemtë e mi, madje edhe kapiteni, i cili impenjohet më shumë se sa të tjerët. Mentalitet­i duhet i njëjtë edhe për vitin tjetër. Nëse stërvitesh mirë, është normale që luan mirë.

Për mbyllje, përtej punës dhe afrimeve, a prisni mbështetje nga tribunat?

Shpresoj që tifozët të rikthehen. Nëse duhet të ecim në një drejtim, duhet paqe. Duhet klub i fortë, skuadër e fortë dhe tifozët e tillë për të arritur sukses. Nëse mungon një nga komponentë­t, bëhet e vështirë. Tifozët e dinë këtë dhe ua kam thënë. Ata e dinë se çfarë pres unë prej lojtarëve dhe kemi të njëjtën ide bashkë me tifozët. Kur veshim këtë fanellë, e veshim për veten, klubin dhe tifozët. Nuk duhet të mungojnë dhe të ndihmojnë ekipin, përtej problemeve. Presidentë­t ikin e vijnë, trajnerët dhe lojtarët po ashtu, ndërsa tifozët janë aty përherë. Këtë bëjnë tifozët e vërtetë.

 ??  ?? Ze Maria me stafin e tij dhe lojtarët e huaj
Ze Maria me stafin e tij dhe lojtarët e huaj

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania