Panorama Sport (Albania)

Guri: Nuk e kisha me qejf të luaja

-

Sulmuesi i Kukësit, Sidrit Guri, i cili dy ditë më parë firmosi kontratën me klubin belg të Ostendes, dje nuk ka luajtur në ndeshjen ndaj Vllaznisë. Në fund të takimit, Guri në një prononcim për "Panorama Sport", u shpreh: "Unë me t'u kthyer nga udhëtimi i jam bashkuar ekipit, pasi tekniku Pakult më kishte futur në planet e tij. Mirëpo, pasi kam folur me të dhe i kam thënë se nuk isha në formën e duhur, ai më mbajti në stol. Të jem i sinqertë, nuk kisha edhe shumë dëshirë që të isha në këtë sfidë përballë ekipit tim të zemrës, që ndodhet në këtë situatë. Kjo për më tepër pasi edhe skuadra ime kishte arritur qëllimin nuk kishte çfarë të kërkonte më. Kam kaluar një sezon të mirë me Kukësin dhe e falënderoj këtë klub për të gjitha. Nga ana tjetër, unë dëshiroj që tani, pasi ende është në lojë mbijetesa e Vllaznisë, skuadra ime e zemrës të arrijë të shpëtojë. Të them të drejtën, pasi kam dalë nga takimi në përballjen që kishim me Luftëtarin, kam ndenjur duke pyetur vazhdimish­t se si ishte Vllaznia me Partizanin. Natyrisht që ajo humbje më ka pezmatuar shumë. Shpresat e Vllaznisë u hapën sërish dhe shpresoj që ajo të bëjë mirë punën e vet në Korçë ndaj një ekipi që ka siguruar titullin dhe po ashtu edhe Kamza të bëjë një tjetër hap fals me Partizanin. Si shkodran, natyrisht që dëshiroj që ta shikoj Vllazninë në Superiore. E meriton ky emër, ky popull, ky qytet që jeton me këtë sport me Vllazninë, me këtë stadium të mrekullues­hëm që në 100- vjetorin e këtij klubi të jetë në elitë. Nëse arrin të shpëtojë, i uroj që të mos jetë më në këto pozita", tha Guri.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania