Panorama Sport (Albania)

Flamurtari i dorëzohet Partizanit

Musta shënon golin e nderit në fund, vlonjatët promovojnë të rinjtë në një ndeshje pa interes

- ERMAL SIKA

Flamurtari dorëzohet dhe i bën "dhuratë" fitoren Partizanin. Vlonjatët u mposhtën nga të kuqtë në shtëpi me rezultatin 1-2. Për Partizanin rruga për në Europë mbetet e hapur pas këtij trepikëshi të marrë në Vlorë, pavarësish­t që nuk mori një lajm të mirë nga Kamza. Vlonjatët luanin thjesht për miqësore, por edhe për të provuar elementët e rinj. Trajneri Behari kishte bërë ndryshime shumë të dukshme, duke nisur që nga stoli, teksa ka aktivizuar portierin e dytë, Sali. Ndryshimet vinin nga të gjitha repartet, ndërsa u vu re edhe aktivizimi i të rinjve Tushi, Maze dhe Rapaj apo edhe lojtarëve që deri më tani kishin ngrohur stolin si Hyseni apo edhe Zuka. Nga ana tjetër edhe Partizani kishte ndryshime, ku trajneri Dalipi pak para takimit përmbysi formacioni­n që provoi një ditë para. Fitorja i nevojitej më shumë Partizanit për objektivin Europë, ndërsa vlonjatët ishin të dorëzuar pa nisur mirë takimi.

PJESA E PARË- Partizani shfaqet i rrezikshëm qysh në nisje të takimit. Abdurrahim­i në kërkim të golit. Në rastin e parë bllokohet nga mbrojtja vendëse që neutralizo­n rrezikun, ndërsa në rastin e dytë nga veprimi në kohë i portierit Sali. Në minutën e 15-të është Flamurtari që jep sinjale pozitive. Tushi shfaqet i rrezikshëm, por bllokohet nga mbrojtja e bërë mur e Partizanit. Në minutën e 28-të, Sidibe lëshon një "silurë", por topi përfundon mbi tra. Në 30 minutat e para të ndeshjes, Flamurtari duket më aktiv, më i freskët dhe në kërkim të golit. Partizani gjen golin e avantazhit në minutën e 34-t. Është Abdurrahim­i, ai që gjen edhe rrugën e rrjetës, pas një goditje nga jashtë zone, duket se e mposht Salin me lehtësi. Në vijim të dyja skuadrat do të përqendroh­eshin në mesfushë dhe do të mungonte loja sulmuese. Në minutën e 44-t vjen një rast i mirë i Flamurtari­t për të gjetur barazimin. Bushiç pas një topi të marrë nga mesfusha hyn bukur në zonë, por Xhika tregohet i saktë në pritje. As dy minutat e shtesës në fund të fraksionit të parë, nuk do të prodhonin asgjë. Lojtarët do të drejtohesh­in në dhomat e zhveshjes me avantazhin e të kuqve.

PJESA E DYTË- Në nisje të fraksionit të dytë të lojës do të nisnin edhe zëvendësim­et. Të dyja skuadrat shfaqen në fillim si të barabarta, por Flamurtari­t i bien bateritë. Në minutën e 51-të, është i riu Rrapaj që provon nga distanca për Flamurtari­n, por sfera përfundon jashtë. Një rast i mirë për Flamurtari­n do të shënohet tre minuta më vonë, kur Bushiç gjen të lirë Rrapajn. Ky i fundit gjuan tokaz drejt portës, por pret në kohë Xhika. Tushi në vijim ekzekuton një goditje dënimi. Ibrahimi ndërhyn me kokë, duke larguar rrezikun. Në minutën e 63-të, hyrja e Muarem në lojë i jep një tjetër rrjedhshmë­ri asaj. Maqedonasi tenton të shkojë drejt portës, por bllokohet nga mbrojtësit e kuq. Partizani do të shënonte golin e dytë në minutën e 71-të. Fejzullahu kroson bukur për Abdurrahim­in, i cili pason te Kalari, ku lëshon një top të lartë në zonë dhe Progni e dërgon "sferën" në rrjetë falë një goditje me kokë. Në vijim do të ketë pak raste për shënim nga të dyja skuadrat. Në minutën e 90-të, do të mendonte Musta që i futur në fushë në fraksionin e dytë të lojës do të ngushtonte shifrat në 1-2. Në minutat e shtesës, vlonjatët do të ishin në sulm në kërkim të barazimit për të dalë me të paktën me një pikë nga kjo ndeshje, por pa arritur gjë. Për Partizanin vijon e hapur rruga për në Europë, ndërsa për vlonjatët objektivi sezonal është i dështuar.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania