Panorama Sport (Albania)

Revoltohet Smajli: Hiqni fanellën, mos dilni në qytet!

-

Dritan Smajli, ish-mbrojtësi i Vllaznisë ka reaguar ashpër pas rënies së shkodranëv­e nga kategoria. Nëpërmjet një statusi në "Facebook", lezhjani ka akuzuar direkt drejtuesit dhe lojtarët për dramën e madhe.

"Ka tri javë që dua të shkruaj për Vllazninë tonë, për Vllazninë e shumë e shumë legjendave, për Vllazninë që deri sot krenonte gjithë Veriun, por jo vetëm. Çdo gjë e kam besuar, por jo që Vllaznia do të zbresë nga Kategoria. Sot ju drejtues, ju lojtarë që paguheni shumë mirë, duhet t'i kërkoni falje një Shkodre të tërë, gjithë Veriut, gjithë Shqipërisë për këtë dramë që shkaktuat. Duhet t'u kërkoni falje legjendave me radhë që duhet një javë t'i shkruaj emrat e tyre, sepse sa falje duhet të kërkoni ju veç një Zot e di. Na mërzitët, na shkatërrua­t, na bëtë të derdhim lot dhe duhet të kuptoni që keni bërë një mëkat të madh. Te Vllaznia nuk luhet veç për para. Te Vllaznia është nder të luash o të nderuar, duhet gjak dhe djers ashtu siç kanë bërë gjithë legjendat, duke filluar nga Medin Zhega, Rragami, Zmijani, Bizi, Ndoja, Martini, Grima, Sinani, Belisha, Beqiri, etj. Janë shumë dhe jo më kot thashë se duhet një javë që t'i shkruaj të gjithë e të më falin ata që nuk i kam përmendur. Kurrë se harroj ditën e parë kur erdha në Shkodër dhe takova të nderuarin Valter Fushaj, asokohe president dhe më tha: "Smajli sa lekë do të luash për Vllazninë"? Iu përgjigja gati në lot, duke i thënë: "President më jep ça të duash veç të luaj për Vllazninë se e kemi ëndërr. Kam qëndruar aty vetëm 5 vjet, por vetëm gjak dhe djersë kam derdhur dhe nuk kam dashur t'ia di se sa lek marr apo se sa do të marr, sepse fanella e Vllaznisë është e shenjtë. Prandaj o të nderuar futbollist­ë, jo të gjithë pa diskutim, hiqini ato fanella e mos dilni më në qytet se keni bërë mëkat. Vllaznia do kthehet më e fortë sepse një vit kalon shpejt. Historinë nuk ia hedh dot kush poshtë, fanellën nuk ia ndyn kush sepse ajo është e shenjtë, por ju do të mbaheni mend gjithë jetën. Forca Vllaznia e Shkodrës! Forca Vllaznia e gjithë Veriut, forca Vllaznia e gjithë Shqipërisë!", shkruante Smajli.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania