Panorama Sport (Albania)

Ku janë vajzat vlonjate?

- Nga VITA STEFA

bres nga autobusi dhe po vazhdoj rrugën Vlorë-Skelë në këmbë. Dua të ndiej erën e luleve të portokalle­ve, që në këtë stinë të dehin me aromën e tyre dhe të thonë: "Mirë se erdhe në Vlorën e bukur!"

Nuk çuditem aspak nga lëvizja e madhe e njerëzve në të dy trotuaret e kësaj rruge të bukur. Secili shpejton në punën e vet dhe mundohet t'i lërë rrugë tjetrit, me sa të mundet.

Syve të mi nuk u shpëtojnë edhe lëvizjet e shkujdesur­a të vajzave e djemve, nxënës e studentë, që e zbukurojnë qytetin me hiret e tyre dhe ashtu si era e portokalle­ve edhe ata të dehin me erën e freskisë së moshës së tyre.

Unë po ecja me një qëllim të caktuar. Pas pak do të fillonte finalja e madhe e basketboll­it të femrave "Vlora-Tirana".

Sytë e mendjes po shikonin larg, shumë larg. Ishte viti 1966. Drejt rrugës për te këndi sportiv i basketboll­it "Spartak" nxitonin grupe- grupe të rinj e moshatarë, gra e vajza. Donte edhe një orë të fillonte ndeshja Flamurtari-17 Nëntori i Tiranës. Në rrugë nuk kaloje dot. Tifozët e mrekullues­hëm vlonjatë edhe pse nxitonin, hapnin rrugën që të kalonim ne, ato që ata prisnin t'i shihnin atje, në fushë, të shkëlqenin e t'i nderonin.

U riktheva nga ky kujtim shumë i bukur dhe mora guximin të ndaloja një djalë dhe e pyeta:

- Më fal, kur fillon ndeshja?

- Futbolli me shkodranët? - nxitoi të kundërpyes ai.

- Jo, - i them. - Ndeshja e basketboll­it të femrave me Tiranën. - Oho! Nuk e di fare!

Shtanga nga kjo përgjigje, por s'u dorëzova. Ndalova një vajzë. Ishte studente. Ajo ngriti bashkë me vetullat edhe sytë! U befasova.

S'e dinte kush. Ndërkohë arrita pranë pallatit. Dyert e këtij pallati madhështor ishin hapur. Mendova se dikush do të më kërkonte të prisja biletën, por jo. Hyra në pallat. M'u duk i ftohtë. Ishte bosh!

Përsëri sytë e mendjes vështrojnë larg në vite. Luanin vajzat e Vlorës. Në pallatin e sportit s'kishe ku të hidhje kokrrën e mollës. Sot pas 50 vjetësh, i vakët, shumë i vakët deri në ftohje.

Vajzat e të dyja ekipeve po bënin nxehmjen. Miqtë e mi na thirrën duke ngritur duart lart që t'i shihnim e t'u afroheshim. U përshëndet­ëm dhe po shihnim vajzat. Një emocion i madh po ndihej në zemrën time. E vunë re shokët.

- E, Vita si të duket?

- Pres me padurim lojën. (Fsheha të vërtetën që po shikoja). U përqendrov­a te gjuajtjet që po bënin vajzat e të dyja ekipeve. Te Tirana shumë vajza s'ishin tiranase, ishin amerikane. Po shihja te ekipi i Vlorës.

- Eh, më thotë miku im, Todi. Këtej ka edhe më shumë serbe! Për momentin m'u duk se nuk isha në Vlorë.

Loja filloi. Po kush po luante aty?! Po shikoja me kujdes. Përballja midis tyre kishte filluar.

"Vlora" në avantazh.

A po gëzonte tifozi vlonjat??!! Shihja miqtë e mi profesioni­stë, që edhe pse bëheshin gjuajtje të bukura, përplasnin duart fare të qetë. Po pse vallë? Ku ishin gjithë ato brohoritje që shpërthent­e pallati kur vajzat nga Vlora gjuanin trepikëshe apo bënin një luftë të pastër në tabelë?

Kush po e përfaqëson­te Vlorën tonë? Ishin vajzat nga Serbia. Kush po e përfaqëson­te Tiranën. Ishin vajza nga Amerika.

Jo! Me këtë nuk mund të pajtohesha! Ku janë vajzat vlonjate? Ku janë vajzat e Tiranës, të Shkodrës, të Fierit, të Durrësit e të tjerë? Ku janë vajzat shqiptare?

Jam unë veterania e basketboll­it, Vita që luaja me numrin 11, kapitenia e skuadrës dhe më vonë trajnere, që i përgatita me aq kujdes e dashuri vajzat vlonjate, si: Muinën, Pjeretën, Eldën, Arjanën, Vjoletën e sa e sa të tjera që për dekada e bënë sportdashë­sin vlonjat të ngrihej në këmbë e të shpërthent­e në duartrokit­je për lojën e tyre të bukur, për saktësinë e qartësinë taktike. Edhe vendin tonë e përfaqësua­n në veprimtari ndërkombët­are denjësisht.

Jam unë sot këtu në pallatin e bukur të sportit, në qendër të jugut tonë, në këtë pallat që m'u duk "i ftohtë" sado që ka ende tifozë të dëshiruar për t'i përkrahur vajzat e t'i pasur gjithmonë në krye.

Ato u ndeshën. Po kush? Sa ishin bija të Vlorës? Ne duartrokit­ëm serbët! Sa keq!

Po gëzonte trajneri! Po gëzonin edhe ato. Po përse?!!

Po ku janë vajzat vlonjate?

Aty, ore janë, aty!

Po kush po punon për to? Kush po i përgatit? Ku janë trajnerët tanë?

"S'ka gjë, më lehtë kështu. Blini disa nga vende të tjera, se natyrisht, paguan populli!

"Po ne, po vajza shqiptare? "Ajo?... s'duhet të luajë!!!" Ç'po them kështu? Jemi ne themeluese­t e para që në vitin 1961 thyem tabu, me një punë të jashtëzako­nshme dhe pa interesa e çuam sportin tonë shumë lart, si nga ana e masivizimi­t edhe nga ana cilësore.

Ku jemi sot? Vlora po e sheh vetë. Po kështu edhe Tirana, e shumë qytete të tjera. Presidenti i Federatës dhe përfaqësue­s të tjerë të saj qëndruan para ekipeve në këtë finale. Dhe çudi! Shprehja e përfaqësue­sit të federatës:

- Sot po mbyllim aktiviteti­n e basketboll­it për femra…

Me kë e mbylli ai? Cilat femra luajtën në fushë? Kujt i vari medaljet e kampioneve? Kush e ngriti kupën e bukur të basketboll­it për femra?

Ishte Serbia.

Jo! Këtë s'duhet ta pranojmë më. Kjo nuk është kupa e basketboll­it shqiptar! Të gjithë duhet ta ndreqim!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania