Panorama Sport (Albania)

Hoxhallari: Rinovova për titullin

Lojtari: Kategoria e Parë shpeshherë dukej si Afrikë, ky do të jetë viti ynë në derbi

- OLSI TUJANI

Tirana ka "arkivuar" Kategorinë e Parë dhe menjëherë ka nisur të vërë në zbatim projektin për Superioren. Pas firmës me Ze Marian, klubi ka zyrtarizua­r një tjetër kontratë 2- vjeçare. Erion Hoxhallari do të jetë i bardhebluv­e deri në 2020-ën. Në një intervistë për "Panorama Sport", mbrojtësi i majtë ka treguar arsyet pse zgjati qëndrimin, flet për objektivat dhe premton revanshin në derbi.

Hoxhallari rinovon për dy vite me Tiranën. Pse ky vendim?

Jam një lojtar që kam dalë nga Tirana dhe, pasi fola me drejtuesit e klubit, vendosa për rinovimin.

OK, por jeni lakuar aq shumë për t'u transferua­r jashtë vendit. Pse nuk u konkretizu­a kurrë kjo gjë?

Kam pasur kontakte dhe disa oferta nga jashtë. Por mendova që të rinovoj me Tiranën. Kështu mund të arrij edhe më lart, mund të siguroj ndoshta transferim­in e ëndrrave, në një kampionat edhe më të fortë krahasuar me ekipet që më kërkonin. Si ishte Kategoria e Parë? Të them të drejtën, ka qenë një vit shumë i vështirë. Por kaloi shumë shpejt dhe arritëm aty ku donim, sikundër e kishim në plan.

Jeni ndier ndopak keq gjatë vitit?

Normalisht që po. Jam ndier keq, pasi na u desh të shkonim në disa qytete, të cilat s'kishin as rrugë për t'u futur në stadium. Ndonjëherë, të dukej vetja sikur luaje në Afrikë. Por, dëshira e madhe për ta kthyer Tiranën në Superiore, na e bëri më të lehtë gjithçka.

Rikthimi në Superiore, do të shoqërohet me titullin?

Tirana e ka në "ADN"-në e vetë, që çdo kampionat ta luajë për titull. Dhe mund ta them me bindje: do jemi një ekip potencial për ta fituar këtë kampionat.

Keni punuar një vit me një trajner si Ze Maria. Si ishte të punoje me të dhe a ka mësuar Erioni diçka të re prej tij?

Ka qenë privilegj që të punoj me një trajner si ai. Ai ka qenë vetë mbrojtës kur luante futboll, madje krahu dhe ky ka qenë një "plus" i madh për ne. Na ka dhënë shumë prej eksperienc­ës së tij. Besoj se puna e bërë këtë kampionat, tregon që është një trajner që punon shumë mirë dhe do të shërbejë shumë në elitë.

Hoxhallari nuk ka konkurrent për krahun e majtë. Ndihesh mirë apo keq, që nuk të sfidon kush?

Unë nuk i trajtoj shokët si rivalë. Gjithmonë kam dashur të kem një konkurrent në rolin tim, pasi ajo të rrit dhe të shtyn të kërkosh më shumë nga vetja. Por, mos harroni te Tirana ka pasur çdo vit mbrojtës të majtë shumë të mirë.

Kush është skuadra më e fortë në Superiore, e cila mund t'ju sjellë "pengesa" për titullin?

Për momentin ekipi më i mirë është Skënderbeu, por dhe Kukësi nuk mbetet pas. Por, korçarët janë një hap para, këtë e kanë shfaqur edhe në Europë.

Tifozët veç titullit, duan edhe "revansh" në derbi. E dini këtë?

Derbi është një ndeshje që i ka munguar këtë vit Superiores. U bë kohë që nuk fitojmë, por besoj se ky do jetë viti ideal për ta kthyer në favorin tonë edhe bilancin në derbi.

Me këtë rinovim dhe mbi të gjitha në elitë, a keni si synim që sa më shpejt të fitoni vëmendjen e skuadrave të huaja?

Çdo futbollist ka gjithmonë objektivat e veta për të luajtur në një kampionat më të fortë. Por, unë për momentin do mundohem që të jap maksimumin tim te Tirana dhe për ta ndihmuar ekipin tim në objektivat e veta. Më pas, nëse dikush do të jetë i interesuar për mua dhe do jetë diçka, e cila do më pëlqejë, do ulem me klubin dhe do flas sërish.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania