Panorama Sport (Albania)

"Kjo Gjermani e përçarë si ne në SHBA 1994"

-

Një skenë që është parë dhe riparë në humbjen ndaj Meksikës ishte goli i Hirving Lozanos. Sulmuesi dribloi Mesut Ozilin dhe e dërgoi topin në rrjetën e Nojerit. Por, çfarë ishte duke bërë mesfushori gjerman në zonën e penalltisë? Numri 10 u përpoq të shmangte atë që mund të shmangte. Le të kthehemi në Botërorin e 1994- ës në SHBA, kur Gjermania kampione bote u eliminua nga Bullgaria në çerekfinal­e. Sulmuesi Leçkov shënoi me kokë pas një krosimi. Markuesi i tij në ato momente ishte Tomas Hesler, i cili luftën në ajër nuk e ka pikën e tij më të fortë: 178 centimetra­t e Leçkovit ndaj 166 centimetra­ve të Heslerit. Por, çfarë lidhje ka ky Botëror me atë skenë? Këtë e sqaron Lotar Mateus për "Sport Bild", kampion bote në Itali 1990 dhe pjesë e Gjermanisë edhe 4 vite më vonë në SHBA. "Liderë si Humels, Nojer dhe Myler duhet të sigurojnë që skuadra të qëndrojë e bashkuar dhe të mos përçahet në individual­itete, ashtu siç bëmë ne në 1994. Ne kishim një skuadër, që në lidhje me individual­itetet ishte të paktën me të njëjtin kualitet si në 1990, kur u shpallëm kampionë bote në Itali. Por, në SHBA të gjithë e kishin mendjen te vetja, kështu që ne u eliminuam me meritë në çerekfinal­e kundër Bullgarisë", shkruan rekordmeni i prezencave me fanellën e "Pancerave". Në komentin e tij, Mateus këmbëngul se edhe në 1990 në kombëtare kishte disa fraksione. Edhe këtu ai heq një paralele me 2014-ën. Por, në Brazil, Lëv i bashkoi grupet në Kampin Bahia. Skuadra u nda në dhoma sipas klubeve të Dortmundit, Shalkes dhe Bajernit. Kështu, shpirti i skuadrës u forcua. "Vetëm një gjë nuk duhet të ndodhë kurrë: që këto fraksione të vihen re në fushë". Ky është problemi i skuadrës së Lëvit që duhet parë sipas tij: "Ekipi gjerman nuk kishte unitet në fushë gjatë ndeshjes me Meksikën. Nuk kishte bashkëpuni­m. Të gjithë donin të bënin diçka, të nxirrte veten në pah". Ashtu si Mateus, e shikon edhe Ditmar Haman, i cili thotë se Gjermanisë i mungon një lider: "Nuk ka një udhëheqës si Shvajni, Lahm apo Klose. Mungon një dorë, një udhëheqës që të përveshë mëngët. Të gjithë kishin probleme kundër Meksikës, nga mbrojtja në sulm". 57-vjeçari kursen vetëm një lojtar nga kritikat: "Vetëm një pozicion nuk më shqetëson aspak: ai i portierit. Nojer më frymëzoi sërish kundër Meksikës".

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania