Panorama Sport (Albania)

Gjashtë herë kampion dhe buxhet 1 milion euro, kush është Ventspils

-

Ventspils është rivali i Luftëtarit në turin e parë të Ligës së Europës. Klubi letonez i luan ndeshjet në "Ventspils Olimpiskai­s" në qytetin Ventspils, duke milituar në Virsliga (niveli më i lartë i futbollit në Letoni). Në total, FK Ventspils ka fituar gjashtë tituj kampionë dhe shtatë herë Kupën e Letonisë. Në vitin 2009, FK Ventspils u bë klubi i parë letonez që mori pjesë në fazat e grupeve të një kompeticio­ni të UEFA-s, pikërisht në Ligën e Europës, pasi eliminoi

BATE Borisov. Më 17 korrik 2007, Ventspils ka bërë debutimin në Ligën e Kampionëve, ndërsa për herë të parë në Europë ka marrë pjesë përmes Kupës Intertoto në vitin 1999. Aktualisht, skuadra e drejtuar nga trajneri malazez, Dejan Vukiçeviç, sipas të dhënave të faqes së specializu­ar "transferma­rkt", vlen rreth 3.6 milionë euro. Sa i përket krahasimit në shifra, Luftëtari vlen 100 mijë euro më shumë se rivali letonez, me 3.7 milionë euro. Lojtari më i kushtueshë­m i Ventspils është ish-mbrojtësi i përfaqësue­ses letoneze, Naurits Bulvitis, si dhe sulmuesi ukrainas, Oleksiy Antonov. Kampionati në Letoni ka nisur prej muajit mars, me Ventspilsi­n që ndodhet në vend të tretë dhe ka luajtur 11 javë. Gjatë këtij sezoni, protagonis­t absolut te Ventspils është bërë sulmuesi nigerian, Akinemi, i cili ka shënuar 8 gola në 11 ndeshje. Klubi letonez ka një buxhet vjetor prej 1 milion eurosh.

BASHKIMI I DY KLUBEVE

Ventspils u themelua në vitin 1997, me bashkimin e dy ish-klubeve FK Venta dhe FK Nafta. Në fakt, Venta ishte një nga klubet kryesore në ligën e Letonisë në vitet '60. Ndërsa FK Nafta u formua në vitin 1995, teksa në sezonin e parë klubi fitoi titullin në Divizionin e Dytë. Historia e Ventspils filloi në vitin 1997. Në shkurt 2007, klubi që përfaqëson qytetin në bregun e lumit Venta me një popullsi prej 45 mijë banorësh, festoi 10-vjetorin. Në një periudhë relativish­t të shkurtër Ventspils është bërë një nga klubet më të forta në Letoni, duke fituar reputacion­in e një skuadre. Në vitin 2003 Ventspils fitoi Kupën e Letonisë për herë të parë në historinë e klubit. Dominimi i Ventspils ka ardhur në vitet 2006, 2007, 2008. Trajneri ukrainas, Roman Grygorçuk, që dikur ka drejtuar Elis Bakajn dhe Kristi Vangjelin te Çernomorte­s, udhëhoqi Ventspils drejt trofeut të parë.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania