Panorama Sport (Albania)

Gjermania kërkon ndjesë, por FIFA nis hetimet

-

Festime, kërcënime, shfryrje, provokime. Dhe pastaj shumë kërkesa për falje. Gjermani-Suedi e vendosur në minutën e 95-të nga goli magjik i Krosit, solli me vete edhe një mori me histori të tjera. Më e shëmtuara është ajo e suedezit (me origjinë turke), Xhimi Durmaz, i futur në fushë pak minuta përpara fundit për të ruajtur rezultatin 1-1. Kur Vernerin, disa sekonda nga fundi e rrëzoi në tokë, nga ai faull erdhi edhe goli i Krosit. Dhe në rrjetet sociale, ashtu siç ndodh rëndom në të tilla raste, ishin me mijëra postimet kundër, fyerjet, madje edhe kërcënimet me jetë. Por, shokët i dolën menjëherë në mbrojtje "kokës së turkut", duke nisur nga Ekdal: "Fitojmë dhe humbasin si skuadër". Guideti e ka me popullin e rrjetit social: "Durmaz vrapon dhe përplaset gjatë gjithë ndeshjes, është me të vërtetë idiote ta urresh për atë faull". Por, kombëtaren nordike, më shumë sesa faulli i Durmazit, e bezdisi sjellja e disa gjermanëve në stol. Georg Behlau dhe Uli Foigt (shefi i zyrës së DFB-së dhe ai i departamen­tit të medias) pas golit të Krosit festuan, duke provokuar stolin kundërshta­r. Trajneri suedez, Jane Anderson, shpërtheu duke e quajtur mungesë respekti. Po aq i indinjuar ishte edhe Emil Forsberg: "Një sjellje e shpifur, u mungoi respekti". Pak minuta pas mesnate, DFB kërkoi ndjesë në "Twitter": "Ishte një ndeshje emocionale. Disa nga festimet përballë stolit të Suedisë në fund ishin të tepruara. Nuk është ky stili ynë. Për këtë i kërkuam ndjesë". Por, ndjesa nuk mjafton ndonjëherë dhe FIFA njoftoi se ka nisur një hetim ndaj dy punonjësve të federatës gjermane.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania