Panorama Sport (Albania)

Verner çan krahun e zemrës, por çalon mbrojtja

Megjithatë, "mbrojtësit" e kampionëve të botës s'bëjnë detyrën

- Përgatiti: ANDROKLI DRALO

Një nga anekdotat më të këndshme mbi futbollin e ka thënë Nils Lidholm, sipas të cilit një skuadër luan më mirë me një lojtar më pak. Në rastin e ndeshjes Gjermani-Suedi, përjashtim­i i Zherom Boatengut me karton të kuq nxori në pah deficitin e zgjedhjeve të Joakim Lëvit, Botërori i të cilit vijon vetëm për shkak të Toni Krosit.

Goditja e mesfushori­t të Realit të Madridit erdhi nga një faull i fituar nga ajo që është e vetmja lëvizje taktike e Lëvit mbrëmjen e së shtunës. Tekniku kampion bote vendosi që të hidhte në fushë Mario Gomezin, i cili do të luante në qendër, teksa Verner që kishte luajtur në atë pozicion, do të spostohej në krahun e majtë. Sulmuesi i Lajpcigut u bind, u sakrifikua dhe fillimisht dha asistin për golin e barazimit të Rojsit. Në sekondat e fundit, me një tjetër shfaqje të shpirtit teutonik, talenti 22-vjeçar që kërkohet nga Bajerni mori me zgjuarsi faullin nga ku erdhi goli i Krosit.

Në disa momente të pjesës së dytë, Verner dhe Rojs ndryshuan krahët dhe hapësirat e tyre duhet të shfrytëzoh­eshin nga Kimish dhe Hektor. Deri këtu gjithçka shpjegohet me një Gjermani që kërkonte golin e fitores, por natyrshëm lind pyetja: Kush mbron nëse të gjithë kridhen në sulm? Pyetja meriton përgjigje, po aq sa merita i duhen njohur edhe deficitit teknik të suedezëve që jo vetëm nuk shfrytëzua­n asnjë kundërsulm, por shkaktuan një faull naiv me lojtarin e tyre më të freskët në fushë. Aspekt më vete është mbrojtja e vikingëve, por fundja nuk mund të kërkosh një barazim 0-0 kur përballë ke kampionët në fuqi.

Zgjedhje - Taktikisht, formacioni që nisi ndeshjen ndaj Suedisë, kishte kuptim. Rojs në vend të Ozilit mund të interpreto­hej si një plan për të sulmuar dhe vrapuar, pasi nuk është mister që fantazisti i Arsenalit e do pasimin gjithnjë në këmbë. Mesfushori i Borusias, me etjen e tij për një Botëror, gjeti dhe shfrytëzoi hapësirat e më pas shënoi edhe një gol me dozë të lartë shprese për ekipin e tij. Duke u rikthyer te plani i Lëvit, 122 pasimet gjermane kundër 7 të suedezëve në 10 minutat e para të takimit, flasin qartë për mënyrën se si tekniku e kishte përgatitur sfidën.

Nga ana e tyre, nordikëve u mjaftuan dy prekje për të nxjerrë në pah limitet mbrojtëse të "Pancerave". Në një mbrëmje të ndërlikuar në nivel qëllimesh dhe nervash, mund të qëllojë që Krosi të gabojë një pasim, por sidoqoftë dy mbrojtës pa shumë teknikë dhe dy mesfushorë që kanë vështirësi për të thyer sulmet e rivalit, janë një luks i tepërt edhe për një ekip si "Die Mannschaft". Lëvizjet e guximshme Lëv i pagoi shtrenjtë ndaj Meksikës dhe për pak sa nuk u ndëshkua nga Suedia, ndaj në Gjermani shpresojnë që të ketë zënë mend pa pasur nevojë për një tjetër provë të teorisë së Lidholm, e cila mund të jetë emocionues­e, por bën edhe pak keq për zemrën...

 ??  ?? Skema e golit të barazimit të Gjermanisë
Skema e golit të barazimit të Gjermanisë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania