Panorama Sport (Albania)

Angli e pamëshirsh­me, 6 gola dhe rekord historik

Goli i gjashtë vjen pas 25 pasimesh, “djegin” Kambiason

- Përgatiti: JETON STAMOLLA

Nuk ishte një ndeshje... Ishte një shëtitje angleze në të nxehtin e Nizhni Norvgorodi­t. Rezultati 6-1 i skuadrës së Garet Sauthgejt kundër modestëve të Panamasë kualifikon "Tre Luanët" në 1/8-at (dhe së bashku me ta edhe Belgjikën, ndërsa edhe Tunizia eliminohet matematiki­sht), por në të njëjtën kohë shenjtëron Herri Kejnin si bomberin e Botërorit deri tani, sepse me tripletën e djeshme ngjitet në kuotën e 5 golave dhe kalon Ronaldon. Në të njëjtën kohë, Anglia vendos edhe një rekord historik, duke qenë se në rastin e golit të gjashtë, "banda" e Sauthgejti­t dërgon topin në rrjetë pas 25 pasimeve radhazi të sakta dhe në këtë mënyrë "djeg" rekordin e golit të Kambiasos (24 pasime), në Botërorin e 2006-s, kur Argjentina mposhte Serbinë.

5 GOLA NË 45 MINUTA - Pjesa e parë ishte një bombardim anglez: pesë gola mes minutës së 8-të dhe 44-t. Ai që ngre siparin ishte Stons, me një goditje me kokë. Dyfishimi vjen në të 22-ën, me penalltinë e ekzekutuar saktë nga Kejn, pas faullit të Eskobarit ndaj Lingardit. Panamaja shfryhet totalisht dhe në të 36-ën vjen festa angleze e radhës, një "perlë" pakapshme e Lingard, e cila ekzalton aq shumë "Tre Luanët", të cilët nuk kënaqen së kafshuari dhe realizojnë edhe dy herë të tjera. Në të 40-ën Stons është në delir total, pasi feston dopietën personale të paimagjinu­eshme, pas një aksioni të dirigjuar nga Henderson dhe Sterling. Dhe në sekondat finale, një tjetër penallti për ishullorët, që sërish Kejn e ekzekuton saktë, por Stons është përsëri protagonis­t, pasi e fiton atë në dëm të një faulli të Murijos.

TRIPLETË E KEJN - Në pjesën e dytë, Anglia nuk shpërdoron

energji të kota, madje edhe goli i 6-0 maturon nga një prekje me shumë fat: goditje e Loftus-Çik dhe devijim me fat i Kejnit, që feston tripletën personale. Në fazën e grupeve, vetëm Hant në 1966 dhe Geri Lineker në Botërorin e vitit 1986 kishin arritur që të realizonin nga një tripletë. Dhe kaq mjafton që Anglia të niste stafetën e zëvendësim­eve, me Vardinë që bën debutimin e tij në një Botëror.

BALOI NË HISTORI - Gjithsesi, nëse Anglia përmbush misionin e saj, Panamaja edhe pse e dërrmuar nga 6 gola, mund të festojë, sepse në të 78- ën, Baloi dërgon në rrjetë, në rrëshqitje, e sipër goditjen e dënimit të Avilas dhe tifozët e Panamasë shpërthejn­ë në festë, njësoj sikur të kishin fituar. Baloi, 37-vjeçar, kishte vetëm 9 minuta në lojë, por ky gol do të mbetet historik, pasi ishte i pari për Panamanë në një Botëror.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania