Panorama Sport (Albania)

Notat e Spanjës

-

DE GEA 5 - Të themi të vërtetën: nuk priti asnjë penallti. Njërën e kishte pothuajse në dorë. "Nuk është e thjeshtë" do thoni ju.... Dakord jemi të gjithë, por ato të Golovinit dhe Çerishevit ishin fare të lehta. Ndërkohë, ai... FERNANDEZ 5 - Nuk i duhet pothuajse të mbrojë hiç dhe shokët e thërrasin që të ndihmojë sulmin, por ai nuk krijon kurrë superiorit­et numerik. (Nga min 70' Karvahal 6 - Shumë më mirë në fushë, por gjithsesi nuk jep asnjë ndihmë konkrete në sulm). PIQUE 4 - Ishte dora e tij, lart dhe në mënyrë të gabuar, që në fund rezultoi përcaktues­e. Po, sepse shkaktoi një penallti të evitueshme. Më pas, te "ruleta ruse" e ekzekutoi mjeshtëris­ht penalltinë e tij, por ajo që shkaktoi dhe që solli golin e vendësve peshon shumë më shumë. I paguan ai të gjitha për të gjithë. RAMOS 6 - Si lojtar duhet t'i heqësh kapelën, sepse nuk bën asnjë gabim. Natyrisht, sjellja e tij prej një burri serioz lë shumë dyshime. I akullt edhe te penalltia. Antipatik, por lider në mbrojtje. ALBA 5,5 - Edhe ai bën shumë pak gjëra në fushë. Spanjës i duhej shpejtësi në duelet një për një, por ai është gjithnjë i ngadaltë.

KOKE 4,5 - Dështak nga pika e bardhë e penalltisë dhe shumë i ngathët edhe gjatë lojës. Nuk e njeh fare "vertikaliz­imin" e topit, edhe pse ishte aty pikërisht për këtë punë. BUSKETS 5,5 - Ashtu si e gjithë Spanja edhe ai rrotullohe­t dhe pason e pason topin pambarimis­ht. Asnjë ide se si mund të çahej muri "armik" dhe ai thjesht kënaqet duke u rrotulluar në afërsi të zonës dhe duke mbajtur topin në këmbë. Funksionon si një robot pa plan B.

SILVA 4,5 - I njëjti koncept si për Busketsin. Dukej sikur nuk e kishte kuptuar mirë se çfarë detyrash kishte në fushë. (Nga min 67' Iniesta 6,5 - Bën diçka më mirë, por gjithnjë shumë larg zonës dhe shumë i vetmuar në vizionin që ka ai për lojën. I ftohtë te penalltia dhe ndoshta ishte i vetmi që te kjo Spanjë meritonte më shumë).

ISKO 7 - I vetmi që shkëlqen dhe Spanja pa atë në fushë do të ishte një ekip pothuajse i rëndomtë. Fiton shumë duele një për një, por kur afrohet te zona, rusët gjejnë gjithnjë mënyrën për ta penguar. Ndonjëherë edhe dhunshëm.

ASENSIO 4,5 - Praktikish­t asgjë për t'u mbajtur mend dhe shumë pak efikas në lojë. (Nga min 104' Rodrigo 6 - Impakt shumë i mirë në lojë dhe iu dha kuptim minutave që luajti duke tentuar disa herë portën e duke shpëtuar shumë rusët). KOSTA 6 - Lufton, por ka pas shpine gjithnjë 3 gjigantë. Pastaj në mënyrë të pakuptimtë e ulin në stol. (Nga min 80' Aspas 4,5 - Solli pak grintë, por njollosi gjithçka e penalltinë e humbur). TRAJNERI HIERRO 4 - Spanja e tij ishte pa kuptim, po aq sa edhe ndërrimet që bëri dje. U thirr të drejtonte një anije që nisi të mbytej para se të fillonte botërori, nuk arriti të bënte asnjë mrekulli.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania