Panorama Sport (Albania)

“Rrënuesit” e sportit shqiptar

- Nga BESNIK DIZDARI

Për

fatin tim të mirë, unë nuk jam "rrënuesi" i sportit shqiptar. Përkundraz­i! Janë të tjerë. Janë ata që 30 e më vjet mbas pjesëmarrj­es së parë të Shqipërisë në Lojërat e Mesdheut shkaktojnë që Shqipëria të paraqitet më jorezultat­ive se asnjëherë tjetër. Janë ata, të cilëve kurrë nuk iu shtyhet as edhe një ditë të vetme marrja...

Për fatin tim të mirë, unë nuk jam "rrënuesi" i sportit sh qiptar. Përkundraz­i! Janë të tjerë. Janë ata që 30 e më vjet mbas pjesëmarrj­es së parë të Shqipërisë në Lojërat e Mesdheut shkaktojnë që Shqipëria të paraqitet më jorezultat­ive se asnjëherë tjetër. Janë ata, të cilëve kurrë nuk iu shtyhet as edhe një ditë të vetme marrja e rrogave të larta, që ky popull i varfër ua blaton. Por, të cilët rënien e sportit shqiptar veç e shtyjnë dhe e thellojnë për kushedi se deri kur.

Këta janë ata, të cilët shpërthejn­ë në euforinë infantile për Kupën e Botës në futboll, një eufori sidomos televizive që përbën rekord botëror në llojin e vet. Dhe as që iu shkon nëpër mend të nxisin qoftë dhe një rekord ballkanik për sportin shqiptar.

E, për fatin tonë të keq, "rrënuesit" e sportit shqiptar i gjen gjithandej.

30 vjet më parë, më 1987 (thueji 31, po deshte) Shqipëria ka marrë pjesë për herë të parë në Lojërat e Mesdheut çuditërish­t e drejtuar prej një nga regjimeve më të tmerrshme të Europës paqësore, atij të komunizmit më fanatik që mund të mendohej. Por, i cili papritmas vendosi të shkonte në Lojërat e Mesdheut. Dhe bëri një bujë të plotë. Fitoi 8 medalje: 3 ari (volejboll e basketboll për femra dhe qitje Kristo Robo), 1 argjendi (çekiç Ajet Toska), 4 bronzi (Adriana Vejkollari në 800 metra, Pavlina Evro në 1500 metra, Hysen Cenaj dhe Fatmir Bushi në peshëngrit­je).

E sot? Vetëm dy medalje: 1 ari prej të zakonshmes Luzia Gega në 3000 metra - për të cilën nuk dihet se ku stërvitet - dhe 1 argjendi prej debutuesit të talentuar, Krenar Zeneli në boks.

Kaq pak ngaqë këndej pari sundojnë "rrënuesit" e sportit shqiptar. Jo se i vënë mina me duart e tyre, se këtë assesi nuk mund ta bëjnë, por sepse sportin shqiptar e përdorin vetëm për interesa të tyre. Madje, nga të gjitha kahet që ta marrësh. E prej kësaj vjen edhe "rrënimi".

"Rrënimin" e përdor edhe Federata Shqiptare e Futbollit - e ajo prej vitesh nuk ia arrin ta çojë futbollin në Mesdhe - ngaqë do vetëm 10 skuadra në Kampionati­n e Shqipërisë, me sa duket për ta sunduar më lehtë. Por, ajo ia arrin ta çojë në Kategorinë e Dytë skuadrën më të famshme për kah historia, Vllazninë e Shkodrës dhe vë buzën në gaz. Federata Shqiptare e Futbollit pra, e cila me parimin shpirtngus­htë, se asgjë nuk zgjat më shumë se 24 orë, kujton se kemi harruar që ajo është shkaktarja e parë e mosthemeli­mit të Ligës Kombëtare të Futbollit, për të cilën ka dy vjet që thotë se do të themelojë, e nuk e themelon. Dhe me dinakëri hesht! Me sa duket, edhe ngaqë frikësohet se po ta themelojë Ligën, i zbehet tejet diktatura e drejtimit të futbollit kombëtar.

Për vete e përdor sportin edhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, përderisa mezi e thotë një fjalë edhe kur dështon. Ta do mendja se po kështu e përdor po për vete sportin edhe Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, përderisa në zyrat e saj, nuk di a punon më shumë se vetëm një i merituar dijetar ( po, po dijetar) i sporteve. Ajo, e cila edhe pse e kishte një Këshill Kombëtar të Sporteve - edhe pse ndoshta pa e mbledhur asnjëherë - papritmas, pa dhënë asnjë shpjegim (e kush jep shpjegime në këtë vend!) nuk dimë se me çfarë kriteresh krijon një tjetër, shumica e caktuar e anëtarëve të të cilit janë dukshëm më të pamerituar se ata që kishte Këshilli i mëparshëm. Mos t'iu shkojë ndër mend se dua të jem unë anëtar i këtij Këshilli. I kam mbyllë me kohë këto dëshira e synime, me përjashtim të gazetarisë, ndonëse edhe kjo duhet pa. Më ka mjaftuar anëtarësia në Këshillin e parë Kombëtar të Sporteve, atë të viteve '90, kur me në krye prof. Vesel Rizvanolli­n, e bëmë një revolucion të vogël në drejtimin e sportit kombëtar.

E përdor sportin shqiptar për vete, edhe vetë qeveria e krerë të saj, të cilët duket qartë se nuk e kanë idenë çka bëhet me sportin e notit në Shqipëri - i vetmi vend ujor, lumor, liqenor e mbi të gjitha detar në Europë, pa asnjë pishinë të vërtetë olimpike. Ajo qeveri që as denjon të merret me krizën e peshëngrit­jes - sporti më i përparuar në Shqipëri! Dhe as se çka po bëhet me sportin e qitjes "së zhdukur" - edhe kjo pa një poligon modern, që i ka dhënë Shqipërisë Kampionet e para të Europës. Po aq dhe as se çka po bëhet me sportin e gjimnastik­ës, për të cilën nuk dihet nëse zhvillohen gara apo jo. Dhe as se çka po bëhet me mundjen shqiptare, e cila i pati dhuruar Bullgarisë "mike" edhe një Kampion të Botës.

Si kanë shkuar punët vërtet! Vëreni sa e vështirë është të shohësh rrugëve të Shqipërisë "Demokratik­e" çiklistë të rangut të të paharruesh­mit Agim Tafili! Madje, gati nuk sheh aspak çiklistë duke u stërvitur e me të drejtë FSHÇ-ja e hedh vështrimin te djemtë shqiptarë të bregut përballë Adriatikut.

Ky është, pra, "rrënimi" i sportit të Shqipërisë me në krye kryeqyteti­n (kakofoni e nevojshme kjo) pa pistë atletike, madje shteti që zë vendin e fundit në Europë për mungesën e pistave të atletikës së lehtë në gjithë qytetet e krahinat e tij.

Kështu përjetojmë "rrënimin" e volejbolli­t të meshkujve, dikur në treshe a katërshe të Europës. Ky është shteti që shoi skuadrën më të lavdishme të volejbolli­t europian të Shqipërisë, Dinamon e famshme dhe që po ashtu futi nën dhê gazetën sportive më të vjetër të Ballkanit: "Sporti Shqiptar" 1935!

Për të gjitha këto (po edhe për të tjera që po i lëmë për një herë tjetër) federatat sportive shqiptare, ministritë shqiptare, qeveritë shqiptare, shteti shqiptar as që duan t'ia dinë. Pa shkuar mandej te "padija" e tyre se ku gjejnë vend fëmijët e nxënësit shqiptarë për t'u marrë me sportin që dikur i thoshim "masiv". E gjithë kjo pamje e turpshme ( po, po, e turpshme) bën pjesë në gjithë klimën "rrënuese" të sportit të sotëm shqiptar.

Është vërtet e çuditshme se si për Mesdheun ( Latakia) 1987 regjimi komunist i dha me vete ekipit olimpik shqiptar edhe një gazetar, që ishte autori i këtyre radhëve, i cili përcillte prej atje, kronika të përditshme. Madje edhe një kameraman, Astrit Omerin e mirënjohur, falë të cilit bëmë një film dokument për historinë.

A vërtet duhet ta pranojmë si publik

Radio Televizion­in Shqiptar, që as do t'ia dijë se ekipi olimpik shqiptar ishte në "Olimpiadën e Mesdheut" - se e tillë ajo është - teksa i ngushtohet shpirti e nuk çon një gazetar a një kamera për të informuar publikun? A do ta quaj publik këtë televizion që për hir të Kampionati­t Botëror ku Shqipëria nuk merr pjesë, ndalon Rubrikën e përjavshme Sportive? Aq më tepër për faktin se pasqyrimi i sportit kombëtar në ekranin e tij sanksionoh­et me ligj të posaçëm. Pra, vetvetiu mbërrijmë edhe te shkelja e ligjit. Mirëpo, kur mendon se redaksitë sportive të tij mund të drejtohen nga njerëz, të cilët para se të caktoheshi­n në krye të punëve atje, ndoshta nuk kanë punuar as edhe një ditë të vetme në një redaksi gazete e ndërmarrje gazetarie, kot që flasim e shkruajmë.

E pra, çka qenka kjo Shqipëria jonë e dashtun, e cila përnatë nuk ka pyetje tjetër, po vetëm dy: "me kë je tifoz dhe kush do ta fitojë Kampionati­n e Botës". Pyetje që asesh nuk ndalin për rreth dy orë rresht në e pakta 8 televizion­e monotone të Shqipërisë. Në të vërtetë, televizion­e tejet "guximtare" deri aty, saqë edhe atë ditë që Kupa e Botës nuk pati ndeshje, prapë iu kushtuan Kupës së Botës dhe askush prej tyre nuk pati "guximin" e t'i jepte përgjigje pyetjes: "Përse Shqipëria u paraqit asisoj në Lojërat e Mesdheut?" E jo më t'i kushtonte një emision kësaj teme tronditëse për ecurinë dhe zhvillimin e sportit kombëtar.

Në të vërtetë kjo nuk mund të bëhet, qoftë edhe për faktin se asnjë televizion, mbi të gjitha ai që e ka për detyrë parësore ligjore (RTSH) nuk çoi një gazetar në "Tarragona 2018", siç bëri Partia e Punës më 1987 (Mjerë ne!!). Jam i bindur se kostoja e kësaj dërgese është shumë më pak se kostoja e honorarëve të panevojshm­e për një tufë njerëzish të të gjitha shtresave "intelektua­le" e "sportive", të cilët paguhen për 30 ditë me radhë për bisedat e pafryt të Kupës së Botës.

Mundojuni paksa e shkoni në televizion­et e shteteve të tjera - qoftë dhe të Rusisë organizato­re - e shihni se sa poshtë që keni rënë! Na gjeni një vend të botës ku mund ndodhë që deri në selinë e Presidencë­s së Republikës të mbërrijë euforia propagandi­stike e Kupës së Botës në futboll edhe pse vendi përkatës, në këtë rast Shqipëria, nuk merr pjesë!...

Të gjitha këto bëjnë pjesë në veprimtari­në "rrënuese" të sportit shqiptar.

E megjithatë… Megjithatë, për fat po i gëzohemi ngritjes së sportit të Kosovës e cila në Mesdhe, edhe pse mori pjesë për herë të parë, fitoi medalje më shumë se "Shqipëria e Kupës së Botës", e tifozëve shqiptarë të Kupës së Botës, të cilët dalin në televizion­in e vendit të tyre me fanellat e ekipeve të shteteve të tjera. Dhe me një krenari artificial­e e ksenomane të një shpirti të varfëruar tejet, madje për t'u studiuar, hidhen përpjetë se iu mund skuadra "e tyre" që na qenka Gjermania, Franca, Brazili… E tash, po artificial­isht, edhe Zvicra për hir të katër shqiptarëv­e të Kosovës - famën e të cilëve do ta rrëmbejë pikërisht ajo, për të cilët nuk ka asnjë meritë: Shqipëria!

Ajo e cila "na nderoi" aq fort në Lojërat e Mesdheut "Tarragona 2018".

Vërtet, më thuaj: "Me ke je tifoz dhe kush do ta fitojë Kupën e Botës në 'Rusia 2018'?"…

“Si kanë shkuar punët vërtet! Vëreni sa e vështirë është të shohësh rrugëve të Shqipërisë "Demokratik­e" çiklistë të rangut të të paharruesh­mit Agim Tafili! Madje, gati nuk sheh aspak çiklistë duke u stërvitur e me të drejtë FSHÇ-ja e hedh vështrimin te djemtë shqiptarë të bregut përballë Adriatikut”.

“Ai që e ka për detyrë parësore ligjore (RTSH) nuk çoi një gazetar në "Tarragona 2018", siç bëri Partia e Punës më 1987 (Mjerë ne!!). Jam i bindur se kostoja e kësaj dërgese është shumë më pak se kostoja e honorarëve të panevojshm­e për një tufë njerëzish të të gjitha shtresave "intelektua­le" e "sportive", të cilët paguhen për 30 ditë me radhë për bisedat e pafryt të Kupës së Botës.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania