Sauthgejt: Kemi mentalitetin dhe seriozitetin e një ekipi të madh
"Jam krenar për gjithçka kemi arritur deri tani"
I lumtur edhe trajneri Sauthgejt, i cili vlerëson sjelljen dhe pjekurinë e djemve të tij: "E dinim që do të ishte një ndeshje e ndryshme nga të tjerat. Suedia është një skuadër që nuk të lë të luash dhe ishte një sfidë impenjative nga pikëpamja fizike dhe atletike, pas asaj që ndodhi edhe me Kolumbinë. Identifikuam disa zona ku mund t'i bënim keq dhe këmbëngulëm. Dëshira jonë ishte e barabartë me të tyren, ne thjesht patëm pak më shumë cilësi". Pastaj trajneri i Anglisë u lë vendin urimeve: "Jam i lumtur për Pikfordin dhe për Dele Alin, luajtën një ndeshje të madhe. Nuk kam fjalë për të përshkruar djemtë e mi. Pikford është prototipi i portierit modern. Numri i prekjeve të topit me këmbë është shumë i lartë në futbollin modern. Shpejtësia e tij e reagimit, pritjet vendimtare dhe përgjithësisht shpërndarja e topave ishin të shkëlqyera. Dele Ali është fantastik në infiltrime. Jam i kënaqur për të, sepse kishte kohë që nuk shënonte. Mentaliteti dhe serioziteti i tyre është ai i një skuadre të madhe". Pastaj është radha e Meguajërit: "Një gjigant në të dyja zonat gjatë gjithë turneut. Unë isha i sigurt për aftësitë e tij që gjatë sezonit dhe i bindur që do bënte këtë paraqitje. Nuk e di për të. Shpresoj të ketë fituar vetëbesim". I pyetur për optimizmin rreth skuadrës, 47- vjeçari tha: "Të menaxhojmë pritshmëritë, tani do bëhet e vështirë. Jam i privilegjuar që jam këtu dhe është nder të jesh trajner i Anglisë. Jemi këtu, sepse kemi lojtarë dhe staf të shkëlqyer. Kemi edhe profesionistë në stol, të cilët me fytyra të buzëqeshura mbështesin djemtë që kanë luajtur më shumë. Jam krenar për gjithçka kemi arritur".