Panorama Sport (Albania)

Vila: Meritonim Champions-in, s'ka më mirë se Skënderbeu

- Llazi Saro

Që Skënderbeu është duke kaluar momentet më delikate në dekadën e fundit, kjo dihet tashmë. Por, ky fakt nuk i ka pezmatuar lojtarët. Ka nga ata që janë besimplotë për të ardhmen. Këtë të paktën shfaqi edhe Emiljano Vila në konferencë­n e djeshme për shtyp. Mesfushori durrsak zbuloi arsyet se pse zgjodhi të qëndronte në Korçë, ndërsa nga ana tjetër u shpreh besimplotë se me disa përforcime ekipi do të jetë sërish mes pretendent­ëve. Vila zgjodhi sërish Skënderbeu­n. Pse ky vendim? Kam vendosur që të vijoj kontratën time në Korçë, pasi Skënderbeu është maksimumi i mundshëm këtu në Shqipëri. Është klubi që ka bërë ecurinë më të mirë në këto 10 vitet e fundit dhe për këtë nuk kisha asnjë pikë dyshimi. Keni folur me presidenti­n para se të rinisnit këtë sezon dhe nëse po, çfarë ju ka thënë? Sigurisht që po, kemi folur dhe jemi takuar disa herë për të diskutuar të ardhmen. Jo vetëm unë, por edhe lojtarët e tjerë të ekipit këtë kanë bërë. Presidenti na ka thënë se skuadra do të vijojë të jetë në nivele të larta. Mendoni se do të jeni sërish të fortë, edhe pse janë larguar shumë titullarë? Merkatoja sjell gjithnjë ndryshime te një ekip. Lojtarët janë të predispozu­ar që të nisin një aventurë të re jashtë Shqipërie dhe besoj se kjo i intereson gjithkujt. Në mungesë të një oferte nga jashtë, besoj se për mua zgjidhja më e mirë ka qenë të qëndroja te Skënderbeu. Një ekip që ka treguar se është më i miri vitet e fundit. Më tej, ndryshimet janë pjesë e futbollit çdo vit. Janë larguar disa lojtarë, por grupi po bëhet sërish. Aliti, një ditë më parë, kërkoi kohë për ambientimi­n e të rinjve, po ju? Sigurisht që ndryshimet kanë gjithmonë nevojë për kohë. Unë po shoh që ekipi është duke punuar mirë dhe duke bërë atë çfarë i kërkohet. Edhe të rinjtë duket se janë mjaft të motivuar për të bërë mirë. Kemi nevojë edhe për disa afrime, por do të jemi sërish kompetitiv­ë. Ju jeni një prej "senatorëve" të këtij grupi, ndaj mund të na thoni se ku ka nevojë për ndërhyrje ekipi? Nuk më takon mua të jap të tilla mendime, unë jam një futbollist dhe si i tillë shoh vetëm punën në fushë. U takon drejtuesve të klubit dhe përgjegjës­ve të merkatos që të merren me afrimet. Në këto kushte, Skënderbeu do të mund të rivalizojë me kundërshta­rët për titull? Të jesh pjesë e Skënderbeu­t, gjithmonë do të thotë që je për titull dhe nuk ka asnjë objektiv tjetër. Ekipi ka treguar këto vite se është mjaft i lidhur dhe sigurisht që edhe këtë vit do të dimë të bëjmë mirë e të marrim maksimumin në kampionat. Si ju duket Shehi si trajner? Është një person që e njeh mjaft mirë ambientin dhe po punon me shumë përkushtim për të marrë më të mirën. Duke e njohur si karakter, besoj se do të japë më të mirën e tij. Është fat që kemi një trajner që e njeh kaq mirë Korçën. A keni pasiguri për të ardhmen, për sa kohë pritet ende vendimi i KAS-it? Janë gjëra që ne nuk na takojnë, por i takojnë klubit. Klubi po merret me këto punë, ndërsa ne shpresojmë që të mbyllet gjithçka mirë. Champions-i nisi me Kukësin, si u ndiet që nuk ishit ju? Të them të drejtën, ka njëfarë keqardhje, pasi e meritonim të ishim ne në këtë kompeticio­n. Por është diçka që nuk varet nga ne por nga të tjerë.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania