Panorama Sport (Albania)

“Junajtid, i pafuqishëm për të luftuar me Sitin dhe Liverpulin”

-

Pol Skolls beson se Mançester Junajtidit i mungon cilësia për të rivalizuar për titullin e Premier Ligës dhe shton se trajneri Murinjo mund të largohet nëse klubi nuk lufton për titullin këtë sezon. "Djajtë" u renditën 19 pikë pas kampionëve të Mançester Sitit sezonin e shkuar dhe Mou ka paralajmër­uar një sezon të vështirë nëse ai nuk do të transferoj­ë të paktën një mbrojtës ditën e fundit të merkatos. Me Liverpulin që po investon shumë, Sitin që atë që deshi e mori (Mahrezin) dhe forcën e tij e konfirmoi edhe në Superkupën e Anglisë, legjenda e Junajtid ka frikë se klubi i tij nuk do të jetë në gjendje për të rivalizuar me skuadrën e Guardiolës dhe Klopit. "Kur shikon Mançester Sitin dhe ndoshta Liverpulin, nuk mendoj se Junajtid e ka cilësinë e këtyre dy ekipeve në këtë moment. Liverpuli ka bërë disa blerje të mira. Ndërsa Junajtidin nuk e shoh aspak afër Sitit. Ata janë me të vërtetë një skuadër e mirë, me trajner dhe lojtarë të shkëlqyer, kanë një filozofi loje që e njohin të gjithë, ndërsa Junajtid nuk është shumë i sigurt se çfarë po ndodh. Ne nuk e njohim skuadrën dhe lojtarët. Nuk e dimë se si do të luajnë nga java e parë dhe më pas. Shpresoj ta kem gabim, por nuk i shoh kandidatë për të luftuar për titull këtë sezon", tha ish-mesfushori. "A mendoj se Murinjo do largohet? Nuk e di. Ai duhet ta nisë sezonin mirë, nuk ka dyshim për këtë. Shumë varet se si do të luajë skuadra. Po nuk luajti mirë, nuk argëtoi njerëzit dhe nuk luftoi për titull, mund të ikë".

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania