Panorama Sport (Albania)

Adriano: I lumtur vetëm kur pija, Interi më "mbulonte"

-

Adriano Leite Ribeiro, shkurt Adriano por i njohur për të gjithë si "Perandori", është rrëfyer ditën e djeshme, për revistën braziliane "R7", rreth momenteve më të vështira në karrierën e tij: kur babai i ndërroi jetë dhe si e "fshihte" Interi problemin e ish-sulmuesit me vesin e alkoolit. "Vetëm unë e di se sa kam vuajtur. Vdekja e babait tim më la me një boshllëk të madh brenda vetes, ndihesha shumë i vetmuar. Pas vdekjes së tij, gjithçka u vështirësu­a, sepse fillova edhe të izoloj veten nga të tjerët. Në Itali isha i vetëm, i mërzitur dhe i dëshpëruar, më pas nisa edhe alkoolin. Ndihesha i lumtur vetëm kur pija, mund ta bëja çdo natë. Pija çdo gjë që më gjente dora: verë, uiski, vodka, birrë… Shumë birrë, madje. Nuk mund të ndaloja së piri alkool, dhe në fund m'u desh të largohesha nga Interi".

RIKTHIMI NË BRAZIL - Braziliani, që ndeshjen e fundit zyrtare e ka zhvilluar me fanellën e Atletiko Paranaense­s (dhe të vetmen me klubin brazilian; më pas kaloi te Majemi Junajtid por nuk kaloi asnjë minutë në fushë në MLS), vijoi: "Një ditë, nuk dija si ta fshihja, sepse arrita në seancën stërvitore të paradites i dehur. Kishte raste edhe kur stafi mjekësor i zikaltërve më vendoste në gjumë në infermieri. Ndërkohë, klubi i Interit i thoshte shtypit se kisha probleme muskulore. Më vonë, kuptova se problemi ishin njerëzit që kisha rrotull: miqtë nuk bënin gjë tjetër veçse më çonin nëpër festa me femra e alkool dhe nuk mendoja për gjë tjetër. Me rikthimin në Brazil (fillimisht te Flamengo, më pas e Korinthias e sërish te Flamengo; përpara kalimit tek Atletiko), hoqa dora nga milionat, por fitova lumturinë - përfundoi Adriano.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania