Panorama Sport (Albania)

Gjyla ankohet për “veteranët”: Tekanjozë!

Trajneri: Në merkato këta lojtarë na erdhën, shoh që na mungon harmonia shpirtëror­e

-

Lushnja nuk po bind. Miqësoret e verës kanë sjellë zhgënjim në radhët e stafit teknik dhe më shumë se rezultati, "meraku" vjen prej mungesës së impenjimit. Është vetë trajneri Ilir Gjyla, i cili në një prononcim për gazetën "Panorama Sport" shpjegon se lojtarët më të vjetër në moshë i kanë marrë më lehtë seç duhet takimet testuese. "Ne kemi bërë një skuadër që, për hir të së vërtetës, e ndërtuam me aq sa kishim mundësia. Në kësi kushtesh, jemi të kushtëzuar që të punojmë shumë më shumë. Në organikë është një ndërthurje midis futbollist­ëve të vjetër dhe djemve të rinj që kemi marrë, por totalisht i kënaqur s'jam. E thashë edhe më lart, këta lojtarë na erdhën. Kjo ndërthurje nuk duhet të ndodhë thjesht si një iluzion. Për shembull, shikoj që ka teka nga lojtarë të historisë. Ndoshta këto janë miqësore dhe futbollist­ët më të mëdhenj në moshë kështu i marrin gjithmonë. Por, kjo nuk do të thotë se në të tilla takime të mos impenjohen. Mendoj se harmonia midis reparteve ose midis njëri-tjetrit sjell edhe harmoni shpirtëror­e. Nëse skuadra nuk do të ketë, nuk do të kenë këtë cilësi, harrojeni që në fushën e lojës të kemi harmoni. Megjithatë, këto miqësore që kemi zhvilluar na kanë shërbyer", është shprehur fillimisht Gjyla për ndeshjet e verës, ku skuadra nuk ka marrë asnjë fitore, por vetëm 3 barazime dhe 6 humbje, më e fundit ndaj Besëlidhje­s. Duke qenë se Lushnja është diçka më shumë se një javë në prag të startit të kampionati­t, tekniku ka nënvizuar se ka ardhur koha që të gjithë të japin maksimumin. "Ne e dimë këtë. Kemi dhe një tjetër takim miqësor të shtunën. Do të shikojmë dhe aty. Mendoj se në kampionat nuk do të jetë kjo skuadër, por thjesht unë them që asnjëherë nuk duhet neglizhuar, edhe pse është takim miqësor. Por, ama është testues. Ndoshta, jo 100%, por 80-90% futbollist­ëve duhet t'ia marrim", përfundoi numri një i pankinës së verdhejesh­ilëve. Alban Alushi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania